Emri Vata, kandidati i “Bashkë Fitojmë” ka reaguar pasi humbi zgjedhjet në Kukës përballë Albert Halilajt të Partisë Socialiste.
Vata me anë të një postimi në rrjetet sociale falenderon strukturat e Partisë Demokratike për mbështetjen gjatë fushatës, teksa hedh akuza për blerje votash nga maxhoranca.
“Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë”, shkruan Vata në rrjetet sociale.
Ai ndër të tjera shkruan se rezultati i zgjedhjeve duhet të lexohet me kujdes, teksa shkruan se PD nuk e ka mbyllur misionin për zgjedhjet e lira në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Albert Halilaj është renditur i pari në garën për Bashkinë e Kukësit duke marrë 13,025 vota, ose 63.67%. Ndërkohë, kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Emri Vata ka marrë më pak se 7,431 vota, ose 36.33%.
Njoftimi i plotë i Vatës:
Të dashur miq, të dashur bashkëpunëtorë, të dashur demokratë, të dashur kuksianë!
Dua të falenderoj, së pari strukturën e Partisë Demokratike në Kukës dhe familjet e tyre për qëndresën dhe mbështetjen në këtë sfidë të pabarabartë në shumë drejtime.
Demokratëve që më dhanë besim duke më votuar, u jam përherë mirënjohës.
Miqve që më mbështetën vazhdoj të jem borxhli dhe mirënjohës.
Përsëritja e asaj që të gjithë bashkë e kemi parë me sy është e panevojshme. Dua të theksoj se vetëm në pushtetin e Edi Ramës skandalet politike, morale dhe shoqërore nuk reflektohen në rezultat, por e thellojnë atë në favor të shkelësve.
Patronazhistët dhe super-ministrat ishin në Kukës me torbën plot, të lekëve dhe premtimeve, por tabloja e Kukësit të zbrazur në 10 vitet e pushtetit të tyre flet pa pasë nevojë për dorëzanë.
Rezultati i zgjedhjeve, me gjithë deformimet, presionin, shitblerjet e votës, krimin shtetëror duhet lexuar me kujdes.
Ne sot mbyllëm një fushatë, por jo misionin tonë që në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë të kthejmë zgjedhjet e lira.
Uroj që vota e çdo qytetari Kukësian , të mos shpërdorohet.
Pa zgjedhje të lira nuk ka zgjidhje.
Miqësisht,
Emri VATA