Po trafikonte 12 pistoleta nga Kosova drejt Shqipërisë, arrestohet 27-vjeçari i dyshuar nga Kosova.

Aksioni është kryer nga Policia e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, duke e koduar “Barriera”.

I arrestuari është Dugagjin Berisha, që u kap pikërisht teksa dilte nga Unaza e Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Barriera”, duke arrestuar një shtetas dhe sekuestruar 12 armë zjarri pistoleta me municion luftarak, në një tjetër rast të trafikimit të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë D. B., (Dugagjin Berisha) 27 vjeç, banues në Kosovë, gjatë një kontrolli në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjatë kontrollit të automjetit të tij tip “Volkswagen”, u gjetën 10 pistoleta ‘Glock’ me municion luftarak nën kofanon e makinës, ndërkohë që gjatë procedimeve të mëtejshme u sekuestruan edhe 2 pistoleta të tjera po ‘Glock’.

dugagjin berisha

Policia dha edhe detajet e aksionit. Gjithashtu janë ndarë edhe pamjet e operacionit (foto).

Efektivët e Komisariatit nr. 4 kanë pasur informacion që Dugagjin Berisha do të udhëtonte drejt Tiranës dhe më pas Freskut për të shitur pistoletat. Ai është mbajtur në vëzhgim që në momentin që ka kaluar në Pikën Kufitare të Morinit dhe ka hyrë në territorin e Shqipërisë me makinën “Volkswagen”.

Më herët, me agjentë të infiltruar, policia ia ka blerë 2 pistoleta në Fresk për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të armëve. Dyshimet janë se edhe më herët ai e ka kryer këtë veprimtari.

operacion tirane

Nga hetimet rezultoi se armët do të shiteshin në zonën e ‘Freskut’ dhe po hetohet për grupin kriminal që i kishte porositur.

“Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikimit të armëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, bënë me dije burime zyrtare.