Autoriteti Portual Durrës ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp lidhur me akuzat e ngritura paraditen e sotme nga kompania EMS, e cila ka me koncesion 35-vjeçar terminalin lindor të portit më të madh në vend.
Kompania EMS akuzoi APD-në për veprime arbitrare, pasi mëngjesin e sotëm, Forcat e Sigurisë Portuale dhe mjete të rënda të një tjetër kompanie ishin futur me forcë në terminal.
Nga ana e saj, APD akuzon EMS për intimidim përmes deklaratave në media.
“Autoriteti Portual Durrës shpreh indinjatën e thellë dhe dënon me forcë qëndrimet tërësisht abuzive të përfaqësuesve të koncesionarit EMS-APO në disa media kombëtare, në përpjekjen për të intimiduar dhe penguar zbatimin e planeve të sigurisë dhe të administrimit portual në Portin e Durrësit.”,- shkruhet në reagimin e APD.
Sipas APD, nuk është cënuar në asnjë moment kontrata e nënshkruar mes palëve, ndërkohë që kompania që menaxhon terminalin ka vijuar punën normalisht.
“Nënvijëzojmë faktin se institucionet shtetërore në asnjë moment nuk kanë cënuar gëzimin e qetë dhe të plotë të kontratës nga ana e EMS-APO, dhe as veprimtarinë e saj operacionale, por kanë kërkuar ushtrimin e të drejtës së kalimit për të aksesuar në sipërfaqe të një kantieri për zhvillim të miratuar me Ligj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Përtej pretendimeve të pavërteta të shoqërisë EMS-APO, Autoriteti Portual ka marrë masat e nevojshme për vijimësinë e aktivitetit ditor të të gjitha terminaleve portuale, përfshirë dhe terminalin lindor, duke përmirësuar planet e sigurisë dhe planet e rregullimit të brendshëm të qarkullimit në port. Duke konsideruar fluksin e madh të pasagjerëve dhe mallrave që përpunohen në Durrës në këtë periudhë, është sigurisht e nevojshme që të ketë rritje të masave të sigurisë, masa për të cilat janë informuar përfaqësuesit e shoqërisë koncesionare.
Për më tepër është lehtësisht e vërtetueshme se aktiviteti i përpunimit të mallrave në Terminalin Lindor ka vijuar sot normalisht dhe pa pengesa, ku janë ngarkuar 14.000 tonë mall krom. Fakt ky i vërtetuar me pamje nga dronët tanë të cilët monitorojnë mbarëvajtjen e proceseve, si dhe nga pamjet satelitore të disponueshme nga ASIG..”
Duket se konflikti i nisur mes APD dhe EMS nuk do të mbyllet me kaq, pasi palët mesa duket kërcënojnë njëra-tjetrën me vendime gjyqësore dhe prishje të kontratës.
“Ndodhur në këto kushte, dhe pavarësisht vullnetit të mirë të autoriteteve shtetërore, është evident fakti se EMS-APO vijon të dëshmojë një mungesë të plotë vullneti për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse si dhe ka ndërmarrë veprime të qëllimshme me synim përfitime nga vendime gjyqësore eventuale.
Për më tepër, në kushtet ku, gjatë aktivitetit koncesionar janë konstatuar në mënyrë të përsëritur një numër i gjatë shkeljesh të parashikimeve kontraktore, qendrimet dhe veprimet e sotme penguese nga shoqëria EMS-APO e bëjnë atë një subjekt aspakt të besueshëm për zhvillimin e sektorit portual në Shqipëri.”,- shkruhet në reagimin e APD-së.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Portual Durrës shpreh indinjatën e thellë dhe dënon me forcë qëndrimet tërësisht abuzive të përfaqësuesve të koncesionarit EMS-APO në disa media kombëtare, në përpjekjen për të intimiduar dhe penguar zbatimin e planeve të sigurisë dhe të administrimit portual në Portin e Durrësit.
Nënvijëzojmë faktin se institucionet shtetërore në asnjë moment nuk kanë cënuar gëzimin e qetë dhe të plotë të kontratës nga ana e EMS-APO, dhe as veprimtarinë e saj operacionale, por kanë kërkuar ushtrimin e të drejtës së kalimit për të aksesuar në sipërfaqe të një kantieri për zhvillim të miratuar me Ligj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Përtej pretendimeve të pavërteta të shoqërisë EMS-APO, Autoriteti Portual ka marrë masat e nevojshme për vijimësinë e aktivitetit ditor të të gjitha terminaleve portuale, përfshirë dhe terminalin lindor, duke përmirësuar planet e sigurisë dhe planet e rregullimit të brendshëm të qarkullimit në port. Duke konsideruar fluksin e madh të pasagjerëve dhe mallrave që përpunohen në Durrës në këtë periudhë, është sigurisht e nevojshme që të ketë rritje të masave të sigurisë, masa për të cilat janë informuar përfaqësuesit e shoqërisë koncesionare.
Për më tepër është lehtësisht e vërtetueshme se aktiviteti i përpunimit të mallrave në Terminalin Lindor ka vijuar sot normalisht dhe pa pengesa, ku janë ngarkuar 14.000 tonë mall krom. Fakt ky i vërtetuar me pamje nga dronët tanë të cilët monitorojnë mbarëvajtjen e proceseve, si dhe nga pamjet satelitore të disponueshme nga ASIG.
Qëndrimet refuzuese dhe penguese të shoqërisë EMS-APO nuk gjejnë arsyetim apo mbështetje as në veprimtarinë operacionale dhe as në performancën e saj ekonomike, duke mos përmbushur, në mënyrë të përsëritur, planet e propozuara nga vetë shoqëria në kontratën koncesionare.
EMS-APO po abuzon me informacionin në përpjekje për të mbuluar faktin se është një prej shoqërive me performancën më të dobët ne Portin e Durrësit, bazuar në fakte e në shifra, e cila ka vendosur të maksimizojë fitimin e saj përmes konflikeve me Autoritetin Portual, duke kërcënuar me padi dhe arbitrazhe.
APD siguron të gjitha palët e interesuara se ne veprojmë në konformitet të plotë me ligjin dhe nuk do të lejojmë EMS-APO, dhe asnjë kompani tjetër, të njollosë procese transparente dhe operacionale të Portit, për të mbuluar paaftësinë e stafit të saj menaxhues.
Ndodhur në këto kushte, dhe pavarësisht vullnetit të mirë të autoriteteve shtetërore, është evident fakti se EMS-APO vijon të dëshmojë një mungesë të plotë vullneti për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse si dhe ka ndërmarrë veprime të qëllimshme me synim përfitime nga vendime gjyqësore eventuale.
Për më tepër, në kushtet ku, gjatë aktivitetit koncesionar janë konstatuar në mënyrë të përsëritur një numër i gjatë shkeljesh të parashikimeve kontraktore, qendrimet dhe veprimet e sotme penguese nga shoqëria EMS-APO e bëjnë atë një subjekt aspakt të besueshëm për zhvillimin e sektorit portual në Shqipëri.
Lexo edhe: