Nga Novruz Zejnati, Doktor i Shkencave
Botimi i enciklopedisë “Delvina dhe treva e saj” është një lajm i mirë për të apasionuarit pas historisë dhe kategorisë së botimeve që klasifikohen si regjistra të periudhave të ndryshme historike, ngjarjeve apo kontributit të personazheve të njohur që kanë lënë gjurmë me jetën dhe aktivitetin e tyre. E tillë është edhe kjo enciklopedi me autor Ilirjan Haxhin, e cila është e para që shkruhet për Delvinën dhe fshatrat e saj. Pra, kemi tashmë një dokument mjaft të mirë, i cili na vjen falë punës së palodhur, e realizuar me devotshmëri dhe dashuri nga autori. Enciklopedia përmban 300 artikuj dhe në të është shkruar për 178 personalitete të të gjitha fushave që vijnë nga Delvina si qytet dhe 28 fshatrat e saj, pra e gjithë treva.
Ilirjan Haxhi është pjesë e një familje të shquar dhe me emër në Delvinë, e cila ka kaluar dhe përjetuar tri periudha të rëndësishme historike, atë para Luftës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas Çlirimit. Kështu, Ilirjani rredh nga një familje atdhetare, arsimdashëse dhe në kohëra të vështira ka dhënë kontributin e saj duke mbajtur një peshë të madhe historike në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, por pa përfituar asgjë në këmbim.
Libri në fjalë ka vlera sepse ai iu vlen në radhë të parë të gjithë delvinjotëve si një regjistër për të njohur më mirë historinë e trevës. Nga ana historike ai sjell elementë shterues në lidhje me zonën dhe kontributin e paçmuar të figurave të shquara të Delvinës duke risjellë në vëmendje edhe një herë se Delvina mund të quhet pa mëdyshje “kryeqendra” e Shqipërisë së Jugut.
Megjithëse, sic e përmenda edhe në fillim, në enciklopedi është shkruar për 178 personalitete nga të gjitha fushat, unë dua të përmend disa prej tyre, si: Sulejman Delvina, Avni Delvina, Anila Godo, Ismail Tatzati, Ali Idrizi, Agron Aliaj, Fejzo Mehmeti, Gani Berberi, Bujar Hado, Panajot Pano e shumë të tjerë.
Në fund të kësaj përshtypje që kam për botimin e kësaj enciklopedie, dua të them se njerëz si Ilirjan Haxhi duhet të kenë mbështetje pasi kjo është një punë e konsiderueshme, voluminoze dhe me vlera që i kalojnë kufijtë e trevës së Delvinës. Shoqëria dhe shteti ynë duhet t’i mbështesë këta njerëz, sepse ata janë të palodhur në evidentimin e vlerave dhe historisë sonë.





