Këto pamje i përkasin banesës së 35-vjeçarit Ilir Koçilja, të cilës iu vendos një sasi e konsiderueshme tritoli mbrëmjen e së hënës, në orën 19.55.

Dëmet e konsiderueshme materiale duken qartë në shtëpinë një katëshe, në lagjen nr.4 të Durrësit. Ndërkohë, në fasadën e shtëpisë dikush ka shkruar me bojë sprajt: Endacaku vrasës!

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, sepse familjarët e Koçiljas ndodhen jashtë vendit, ndërsa 35-vjeçari ndodhet në paraburgim, i akuzuar për vrasjen e Halil Kokës, më 14 shkurt. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar personin që ka vendosur lëndën plasëse në banesën e Koçiljas. Ai kalon pranë banesës, teksa mban veshur një kapuç dhe qëndron kokulur.

Dy fqinjët u konfliktuan atë ditë në lagjen ku banonin për një vend parkimi, ndërsa sherri degjeneroi deri në konfrontim fizik. 35-vjeçari Koçilja goditi me thikë Kokën, i cili disa minuta më vonë humbi jetën rrugës për në spital.

Koçilja u arrestua disa orë më vonë nga efektivët e policisë së Durrësit, ndërsa ishte fshehur pranë Forumit Bizantin.

Dyshohet se 35-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe jetonte i vetëm në shtëpinë e tij.