Mbetet ende mister vrasja makabre e 71-vjeçarit Shefki Kurti, i cili u vra dhe u copëtua dy javë më parë në Itali.

Ajo që fillimisht u mendua se ishte një krim i kryer nga një vrasës jo ekspert, i cili braktisin trupin e copëtuar dhe të futur në qese plastike në kanalin e Adigetto-s, me kalimin e ditëve hetuesit kanë nisur të shprehin bindjen se bëhet fjalë për një vrasje me mesazh për dikë.

Nga ajo që raportojnë mediat italiane, mësohet se vrasja makabre e pensionistit nga Durrësi, që prej mëse 30 vitesh jetonte në Itali, mund të jetë mesazh për ndonjë nga familjarët.

Hetuesit dyshojnë se ndonjë nga familjarët e të ndjerit Kurti, mund t’i ketë marrë dikujt një shumë parash, dhe pasi ka dështuar të kthente shumën, atij/asaj i duhej dhënë një mësim.

Karabinierët vazhdojnë të inspektojnë apartamentin e sekuestruar, ku 71-vjeçari jetonte me bashkëshorten, ndërkohë që një element tjetër që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen është telefoni i të moshuarit, që u gjet në banesë.

Sipas mediave italiane, autori/autorët e krimit e kanë hedhur pikërisht trupin e copëtuar në atë kanal me qëllim që ai të gjendej dhe jo të zhdukej përgjithmonë.

Ende nuk është zbuluar vendi se ku ka ndodhur krimi i rëndë, që tronditi gjithë komunitetin e zonës.

I moshuari u largua më datë 22 korrik nga shtëpia, pas një grindjeje me bashkëshorten dhe fillimisht dy fëmijët e tij menduan se babai i tyre ishte larguar me dëshirë, për më tepër që kishte lënë telefonin në banesë.

Vetëm kur më datë 28 korrik, disa punëtorë të pastrimit gjetën këmbën e të ndjerit në kanal, u kuptua se 71-vjeçari ishte vrarë.

I moshuari u identifikua nga familjarët, falë tatuazhit që kishte në këmbë.

M.B.