Kushdo që ka qenë në pritje të një fëmije është përballur me gjetjen e emrit, hartimin e listës së mbushur me emra të parapëlqyer dhe në fund me vendimin e vështirë për të zgjedhur mes tyre, apo dhe për ta “thyer” listën duke zgjedhur një emër të ri, po që do ta shoqërojë për të gjithë jetën krijesën më të dashur. Jo rrallë prindër të ndryshëm janë përballur që herët me pyetje të fëmijëve rreth emrit të tyre, madje dhe të llojit: “Pse s’ma vutë emrin ….?”.

Ka raste kur pyetje të këtij lloji të bëjnë të ndjehesh keq, ka raste kur nxiton të japësh një shpjegim për të shmangur njëfarë pakënaqësie që ndjen te fëmija që po rritet ndaj emrit të vet. Prandaj emri në të shumtën e rasteve duhet të mbartë me vete dhe një kuptim, histori apo arsyetim që në të afërmen e shpejtë prindërit duhet t’ia tregojnë fëmijës për ta lidhur edhe më shumë me emrin e vet. Për ta pranuar dhe dashur atë, po aq sa prindërit që ia zgjodhën në çastin e lindjes.

Këtë vit në pesë rajonet e bashkisë së Durrësit, gjatë periudhës janar-korrik, janë regjistruar afro 995 foshnje. Shpendi Hoxha, shefi i gjendjes civile pohon për “Dyrrah” se numri më i madh i foshnjeve është regjistruar në rajonin nr.5 që ka dhe numrin më të madh të popullsisë në qytet, pasi në të përfshihen lagjet 13, 14 dhe 17. Përkatësisht zonat e Plazhit, Shkozetit dhe një pjesë e mirë e ish-kënetës. Pas një rikthimi të shkurtër te emrat shqiptarë, shumica e prindërve në Durrës zgjedhin emra të huaj për foshnjat e tyre.

Jetojmë në një epokë kur globalizimi gllabëron me ritme të shpejta, duke zgjeruar terrenin e tij me kufij gjeofizikë dhe mendorë, duke rrezikuar kultura, tradita dhe trashëgimi e dalëngadalë vetëdije gjuhësore. Sociologët gjerësisht mendojnë se emrat dhe vendosja e tyre është një proces që lidhet me kulturën, traditën dhe identitetin personal të gjithësecilit prej nesh.

Emri tregon njëkohësisht përkatësi, por edhe dëshirën për të qenë i veçantë brenda saj. Dhe po t’i referohesh të dhënave të gjendjes civile vëren edhe muaj ku asnjë nga prindërit nuk ka zgjedhur një emër shqiptar për fëmijën. Edhe në muajt pasardhës e rajonet e tjerë të qytetit, që është dalluar për lidhjet e ngushta me vendet e qytetëruara që në antikitet, emrat që mbizotërojnë janë të huaj. Ndesh Herman, Leabetris, Milka, Tuana, Kleopatra, Evan, Eros, Brayan, Regina, Johana, Ester, Klemesja, Noemi, Ajnel, Amajda, Christel, Flavio, Klaus, Azret, Divide, Matias, Rebeka, Daniel e plot emra të tjerë.

Mes emrave dallohen qartë dhe emrat që i përkasin figurave fetare, po që duke iu referuar emrave të baballarëve vetëm në pak raste tregojnë përkatësinë e origjinës së besimit fetar të personit që e mban. Bien në sy emrat hebre, ata biblikë që janë dhe më të shpeshtët që përsëriten nga prindër të ndryshëm, po nuk mungojnë as emrat fetar muslimanë si Azret, Adem, Ibrahim etj.

Një fenomen shqetësues, po duhet pranuar si mjaft praktik në kohën e shuarjes së kufijve dhe dëshirës së prindërve për integrim të lehtë të fëmijëve të tyre në botën e qytetëruar e të shumëkërkuar është ai i regjistrimit të emrave.

Në jo pak raste, emrat e huaj regjistrohen nga prindërit, jo mbi bazën e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, po mbi ato të gjuhës së huaj nga është huazuar emri i fëmijës, si Abyy, Alessio, Daisy, Jonathan, Alessandro, Alex, Brayan, Christel, Regina, që në varësi të prindit regjistrues shfaqen edhe si Brajan, Kristel, Rexhina; Frederico, Sarah, Aaron, Nicole, Evelyn, Richard, Chloe, Joi, Wendy dhe Stella.

Ka dhe emra në të cilat ndjehet edhe ndikimi grek, si Afrodhiti etj. Në zyrat e gjendjes civile tregojnë se ato janë kryesisht fëmijë të prindërve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj. Greqi, dhe duhet të përshtaten me ambjentin atje, një ambjent që përtej arsyes së mësipërme lidhet dhe me përshtatjen e detyruar ndaj një mjedisi tejet diskriminues e agresiv ndaj emigrantëve shqiptarë.

 

Emra të vjetër shqiptarë, por më shumë emra italianë, anglezë, spanjollë, arabë etj. Nga një vëzhgim i shpejtë në regjistrat e gjendjes civile konstaton sa kanë ndryshuar preferencat e çifteve të reja përsa i përket emrave që zgjedhin për bebet e tyre. Zgjedhjet janë nga më të çuditshmet. Mbetet vetëm për t’u parë sa do ta gjejnë veten në të ardhmen fëmijët me këto emra 

Vihen re dhe emra që mund të përdoren nga të dyja gjinitë dhe është e vështirë të përcaktosh gjininë vetëm nga emri i zgjedhur, si Heby, Joi, apo Ariel.

Gjithsesi në listat e fëmijëve të ardhur në jetë gjatë këtij viti gjen edhe emra shqiptarë, përfshirë dhe ata që janë bërë pjesë e fondit të emrave tanë ndër dekada pavarësisht origjinës së tyre të hershme: Arbër, Earta, Sibora, Besart, Dea, Agim, Era, Kujtim, Artan, Erla, Iris, Thoma, Skënder, Bujar, Erion, Viola etj.

Nuk mungojnë as emra, si Shkurta, Banesa, Aqif, Cekët. Një vëzhgim në emrat e përzgjedhur nga prindërit për foshnjat e tyre të çon dhe në listat e ngushta me emrat më të preferuar për dy gjinitë gjatë këtij viti.

Emrat e paligjshëm

Imagjinoni sikur keni zgjedhur emrin perfekt për të sapolindurin tuaj, po kur shkoni ta regjistroni kuptoni se ligjërisht ju nuk mund t’ia vendosni atë. Ekziston një listë emrash që prindërit nuk mund t’ua vendosin fëmijëve të tyre, një listë që ka ngjallur jo pak debate në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërsa autoritetet e Ministrisë së Brendshme deklarojnë se lista mund të zgjerohet edhe më tej.

Ligjvënësi i ka përjashtuar prindërit nga e drejta për t’i vendosur fëmijëve të tyre emra të cilësuar si të papërshtatshëm për shkak të tingëllimit, karakterit fyes dhe cënues që lidhet kryesisht me pëlqimin ndaj një objekti, mentalitetin dhe qëndrimin prindëror ndaj pasardhësit të radhës. Mes tyre janë dhe emrat Eros dhe Shkurte, po që në listat e të regjistruarve gjatë këtij viti në Durrës shfaqen.

A përbën kjo një shkelje të ligjit dhe a duhej të ishte regjistruar fëmija nga punonjësja e gjendjes civile? Besoj nuk ka vend për hezitim. Prindi ka të drejtën e patjetërsueshme të vendosjes së emrit për fëmijën e porsalindur, një e drejtë kjo e mbrojtur me ligj në mbarë botën nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Lista e zezë nga ana tjetër krijon diskriminim për ata që aktualisht i mbajnë këto emra përjashtues tashmë. Si duhet të ndihen ata në një shoqëri që i vlerëson të pakëndshëm emrat që mbajnë që nga lindja? Emrat e ndaluar me ligj për t’iu vënë fëmijëve janë: Ankim, Arançatë, Avash, Bretk, Berr, Burgim, Ballokume, Car, Cub, Curranë, Currelë, Careva, Carina, Ccbane, Dert, Derman, Dovlet, Durak, Ekran, Eros, Ferman, Federatë, Fodulle, Gazep, Gallatë, Gabime, Groshe, Gjezap, Hyzmet, Përshëndetje, Hafije, Helme, Ironi, Jermësinë, Keqan, Keqe, Kralicë, Lëvere, Meze, Mëshirë, Mjaftë, Mjaftime, Mjaftoni, Mbarime, Mbete, Mbylle, Marrëzi, Ndalime, Pikëllime, Pafate, Pseerdhe, Rikë, Rakita, Spece, Sose, Stenatë, Sherre, Shkurte, Shkurtime, Xhenaze, Zehere.

Emrat e preferuar

Vajzat

Anamaria

Alesia

Sara

Greis

Uendi

Sidorela

Klea,

Djemtë

Noel

Alesio

Aron

Luis

Flavio

Enrik

Alesandro

Emrat e ndaluar në vende të ndryshme

Emrat e ndaluar nuk përbëjnë gjetje shqiptare. Përkundrazi edhe në vende të tjera të botës ekzistojnë lista me emrat e ndaluar. Kështu psh., në Rumani ekzistojnë emra të pazakonshëm, si Imperator, Mercedes, Polici, Tarzan dhe Televizor që janë të ndaluar. Në Zelandën e Re ka një listë prej 102 emrash të ndaluar mes të cilëve dhe Violence, Baron, Bishop, Duke, Judge, Justice, King, Knight (Dhunë, Baron, Peshkop, Dukë, Gjykatës, Drejtësi, Mbret, Kalorës). Po kështu në këtë shtet janë të ndaluar emrat Lucifer dhe Messiah, si dhe emrat thjesht me një shkronjë “C” apo “T” dhe emrat numra. Nëse një ligj i tillë do të zbatohej dhe në Shtetet e Bashkuara shumë personazhe të njohura do të kishin probleme me emrat e fëmijëve të tyre. Gëen Stefani ka një fëmijë që quhet King, Diane Keaton dhe Justin Bateman i kanë pagëzuar pasardhësit me emrin Duke. Ka dhe mjaft raste të tjera kur emrat për dikë tingëllojnë çuditshëm deri në papranueshmëri dhe për dikë tjetër, veçanërisht për prindërit që i zgjedhin janë emri perfekt për beben, si rasti i Victoria dhe David Beckham që kanë zgjedhur emrin Harper 7 për vajzën e tyre. Në 2007 një gjyqtar në Republikën Domenikane paraqiti një propozim për të ndaluar emrat e paqartë dhe ata që nuk e përcaktojnë qartë gjininë e foshnjes, si Qeurida Pina (Ananas i dashur) dhe Tonton Ruiz (Ruizi Bedel). Në Suedi ekziston një ligj që rregullon emrat që prindërit mund t’i vendosin fëmijëve të tyre në disa raste. Kështu, gjykatat kanë miratuar emra si Lego dhe Google, por emrat Superman, Metallica dhe Elvis nuk e kanë kaluar provën.