Quhet David Banda Mwale Ciccone Ritchie, premtimi më i ri i skuadrës portugeze të Benfica’s dhe në tërësi e futbollit portugez. Luan mesfushor ofensiv i krahut të majtë dhe ëndrra e tij, ndonëse është vetëm 11 vjeç, është që të ndjekë gjurmët e idhullit të tij, Cristiano Ronaldo. Shenja dhe të dhëna të veçanta: është djali i Madonna’s dhe i Guy Ritchie, të cilët e adoptuan të vogël fare nga Malawi, ku ka lindur më datë 24 shtator të vitit 2005.

Benfica ka pranuar që ta marrë në testim gjatë javëve të ardhshme futbollistin 11-vjeçar, djalë të këngëtares së famshme të muzikës pop, dhe për këtë gjë vetë Madonna është që tani shumë krenare për të voglin e saj: “Kampioni im!”, ka shkruar në “Twitter” këngëtarja, duke postuar edhe një foto të futbollistit.Djaloshi, i cili tashmë është shfaqur publikisht në disa evente të tilla si koncerte të mamasë së tij, luan aktualisht me skuadrën e Seixal dhe është pjesë e përfaqësueses portugeze U-12. Lajmi po bën xhiron e botës dhe kampusi “Caixa Futebol” i Benfica është pushtuar tashmë nga gazetarët dhe fotografët, të cilët nuk duan për asnjë arsye në botë të humbin shansin për të gjeneruar lajme në lidhje me djalin e këngëtares Madonna.