Madrid – Sot, tri shtete evropiane janë në mesin e shtatë ekonomive më të mëdha të botës. Dhjetë vjet më vonë, do të mbesin vetëm dy prej tyre. Deri më 2030, vetëm Gjermania ende do të jetë në listë, dhe deri më 2050, nuk do të mbetet asnjë. Në të vërtetë, atëherë, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përfaqësuese të Perëndimit në top-shtatëshen e botës.

Që do të thotë se shtetet evropiane janë shumë të vogla për të konkurruar të ndara në botën e shekullit të njëzetenjëtë. S’ka më thjesht se kaq. Deri më 2030, sipas Bankës Botërore, do të ketë dy miliardë më shumë njerëz, kryesisht aziatikë të shtresës së mesme. Presioni ndaj burimeve të planetit, komoditeteve, ujit dhe ushqimit do të jetë shumë i madh, duke e bërë praktikisht të pashmangshëm baraspeshimin e ri botëror. Dhe në një botë të shënuar nga ndërvarësia dhe ndryshimi i përhershëm, Evropa do të kuptojë se vetëm uniteti e bën të fuqishme.

Në të vërtetë, derisa evropianët po punojnë drejt integrimit, mbase do ta kuptojnë se janë tejkaluar nga shtetet në zhvillim në kuptimin e zhvillimit teknologjik, krijimit të vendeve të punës, kostove të prodhimit, talentit dhe kreativitetit.

Bashkimi Evropian ende është një vend ku institucionet ekonomike dhe sociale sigurojnë një cilësi më të mirë të jetës. Në këtë kuptim, kërkesa për një zë evropian në botë është e qartë – ish-presidenti brazilian, Luiz Inacioa Lula da Silva, foli për BE-në si një “trashëgimi e vetme ndërkombëtare” – sepse garanton vlerat më të mira që i përfaqëson njerëzimi.

Ato vlera janë mishëruar pjesërisht në shtetet e Evropës me mirëqenie të zhvilluar, që është një komponentë e rëndësishme e identitetit të përbashkët të Evropës dhe një pikë parimore e krenarisë. Është e vërtetë se në aspektin e barazisë ekonomike, ka një dallim vetëm dy me një për kokë të të ardhurave për kokë banori ndërmjet shtetit më të pasur dhe më të varfër amerikan (hiq këtu krahinën e Columbias), derisa në BE shkalla është 6.5 me një. Por, në lidhje me kushtet brenda shteteve të SHBA-së dhe atyre të BE-së, gjërat janë krejtësisht ndryshe.

Mesatarja e koeficientit Gini (ku zeroja është barazi absolute dhe njëshi është pabarazi absolute) në Evropë është 0.30, krahasuar me 0.45 në SHBA. Koeficienti i Kinës është 0.47. Shoqëria amerikane është shumë e pabarabartë (dhe Kina ka një pabarazi larg më të madhe). Në Evropë, e kundërta është e vërtetë. Shoqëritë evropiane janë larg më barazimtare, derisa konvergjenca ndërmjet tyre është ende larg prej të dëshirueshmes (kjo në të vërtetë është detyra më e madhe me të cilën po përballet Evropa).

Prej kësaj perspektive nuk është e zorshme të kuptohet joshja ndërkombëtare e Evropës. Merrni në konsideratë eksperimentimin pasues të mendimit (një variacion për “vellon e injorancës” të sjellë në mendje nga filozofi John Rawls në përpjekjen e tij për të dizajnuar një shoqëri të drejtë): duke marrë për bazë nivelin dhe cilësinë e mbrojtjes sociale, edukimin publik dhe kujdesin shëndetësor në BE dhe SHBA, dhe pa e ditur më parë se cila do të jetë gjendja juaj sociale në cilëndo shoqëri, ku do të preferoni të jetonit?

Por, nëse Evropa dëshiron t’i ruajë institucionet e veta të prosperitetit të përbashkët, ajo duhet të gjenerojë rritje ekonomike me qëllim që t’i paguajë ato. Kjo do të thotë rritje produktiviteti dhe fuqizim të konkurrencës – dhe po aq e rëndësishme, zënia e vendit të merituar të Evropës në botë.

Evropianët kanë një arsye të re për shpresë derisa kërkojnë t’i realizojnë këto qëllime: një marrëveshje transatlantike për tregti të lirë. Jo shumë kohë më parë, në vitet tetëdhjetë, Evropa ishte refuzuar (në mënyrë të veçantë nga amerikanët republikanë) me termin “euroskleroza”. Dekada që pasoi  krizën e naftës në vitin 1979 ishte shënuar nga një rritje e lartë e papunësisë, paralizës fiskale dhe në të vërtetë, negociatave të ngrira për anëtarësim për Spanjën dhe Portugalinë. Ekonomitë evropiane po stagnonin, derisa SHBA-ja dhe Japonia po përjetonin rritje.

Atë kohë, tregu i përbashkët i Evropës ende nuk ishte një treg i vetëm. Pastaj, ndodhi një konvergjencë historike e interesave kombëtare dhe qëndrimeve ideologjike (prej socialistëve të François Mitterrandit deri te konservatorët e Margareth Thatcherit dhe kristiandemokratët të Helmut Kohlit). Me vizionin e qartë para vetes, liderët e Evropës erdhën në përfundimin se ishte mungesa e integrimit të ekonomive të tyre që po e mbante Evropën larg rritjes së fuqishme, që përjetonin SHBA-ja dhe Japonia.

Zgjidhja ishte krijimi i një tregu më të gjerë: një treg të vetëm. Kjo përpjekje kulmoi me Aktin e përbashkët evropian të ’86-s, që shtroi bazën për themelimin e rrethit virtuoz të rritjes së fuqishme dhe papunësisë më të ulët në vitet nëntëdhjetë.

Sot, Partneriteti i Investimit dhe Tregtisë Transatlantike (TTIP) më në fund është në tryezë, duke premtuar një rritje të përnjëhershme në BE dhe SHBA. Në vitin 2012, eksportet amerikane në BE bashkërisht arrinin shifrën prej 206 miliardë dollarësh, derisa eksportet e BE-së në SHBA arrinin pothuajse në 300 miliardë dollarë. Tridhjetë milionë vende pune në Evropë (rreth 10 për qind të numrit të përgjithshëm të forcës punëtore) varen prej tregtisë së jashtme. Sasitë janë të larta, që sugjerojnë se TTIP-ja mund të ketë një efekt të krahasueshëm me atë të tregut të përbashkët për Evropën.

Por realizimi i potencialit të TTIP-së kërkon kompletim të projektit të integrimit evropian. Ai proces është i gjatë dhe i ngadalshëm, me diçka që mund të thuhet dhe ofrohet. Në të vërtetë, ka qenë ky proces – tani në dhjetëvjetëshin e tij të shtatë – që u ka mundësuar evropianëve të gëzojnë standardin më të lartë të jetesës në botë.

(Autori Javier Solana ish-ministër i Jashtëm i Spanjës, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ish-Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së. Tani është president i Qendrës për Ekonomi Botërore dhe Gjeopolitikë (ESADE) dhe anëtar i lartë i Institutit Brookings.)

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”.