Realitet bardh e zi dhe ëndrra shumëngjyrëshe. Një kombinim i gjetur dhe mjaft domëthënës për të treguar dy anë të ndryshme të dy artistëve durrsakë që për herë të parë së bashku vijnë me ekspozitën “Ëndrra dhe realitete urbane”.

Fotografi Adnan Beci vjen në këtë ekspozitë me 30 fotografi të realizuara në qytetin e tij të lindjes, në Durrës. Në fotot e tij, dominojnë imazhet nga bregdeti i Durrësit, ndërsa ato janë realizuar të gjitha në stilin “Street Photo”  (fotot e rrugës). Fotografi Beci gjurmon aspektin fizik të realitetit, duke krijuar një atmosferë mistike rreth tij. sinkron

Ndërsa piktori Antonin Gjeluci erdhi në këtë ekspozitë të hapur në ambientet e Muzeut Arkeologjik me 14 punime të tij, të realizuara shumë vite më parë. Punimet e tij i ngjasojnë ëndrrave shumëngjyrëshe, që lënë pas një ndjesi të bukur. Megjithëse eksperimenton edhe në skulpturë dhe instalacion, piktura mbetet për këtë artist mediumi kryesor i shprehjes së tij kreative. sinkron

Më tepër se nje “duel”, kjo ekspozitë është një “duet” i dy artistëve durrsakë, jo konvencionalë, të cilët ndajnë fushën e veprimit të tyre artistik, për të shpalosur vetveten dhe për t’ iu qasur botës në mënyrë komplementare.