Shekspiri, amfiteatri antik dhe trillet e një nate vere. Një koktejl artistik për të mos u humbur dhe artdashësi i shumtë në numër duket se kishte uri për një shfaqje të tillë.

Komedia “Ëndrra e një nate vere”, nën regjinë e Driada Dervishit hapi mbrëmjen e 21 qershorit siparin e shfaqjeve artistike në amfiteatrin 2000-vjeçar të qytetit të Durrësit për këtë sezon veror.

Me emra të mirënjohur të skenës si Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Suela Bako, Andia Xhunga, Mimoza Marjanaku, Adelina Muça, Amos Zaharia etj, komedia shekspiriane nuk kishte sesi të mos rezultonte një sukses.

Për aktorët Mimoza Marjanaku dhe Amos Zaharia, emocionet ishin të shumta para shfaqjes.

Me një skenë të veshur në të bardha, hënën në sfond, ngatërresat e Pakut ­çamarrok, truket e zanave dhe një ëndërr-zhgjëndërr, komedia “Ëndrra e një nate vere” erdhi si një magji e këndshme për publikun dhe pse jo, mund të shërbejë si një ogur i mirë për një sezon të suksesshëm.

Për artdashësit durrsakë, komedia shekspiriane do të vijë edhe dy netë të tjera, më 22 dhe 23 qershor, në amfiteatrin e qytetit.

M.B.