Nga Eduard Zaloshnja
Fakti që Jozefina dhe deputetët besnikë të saj bllokuan kandidaturën e Artan Hoxhës për postin e Presidentit të Republikës, ndërkohë që përkrahën kandidaturën e presidentit aktual, është domethënës. Ai ndoshta shpiegon mobilizimin ekstrem të saj për një mandat të tretë të Berishës në kryeministri…
Logjika e ftohtë e realpolitikës duhej ta bënte Jozefinën të shpresonte për një humbje të Berishës, për të synuar pastaj kreun e PD-së – ashtu siç e synoi dhe e arriti Rama kreun e PS-së pas humbjes së Nanos në 2005-ën. Kjo strategji, në pamje të parë, do të ishte më e lehtë për t’u realizuar, pas dobësimit të pushtetit të Lulzim Bashës me ikjen e Metës nga koalicioni.
Por Jozefina ka aq vite në PD, sa ta ketë kuptuar që Berisha nuk e lëshon kullën e tij blu, çfarëdo të ndodhë më 23 qershor. Përrallat me rivalitet për postin e kryetarit të PD-së, pas humbjes së Berishës, janë thjesht për të mbushur faqet e gazetave me teori konspirative, por jo për t’i mbushur mendjen Jozefinës.
Duke përkrahur kandidaturën e një politikani luajal ndaj Berishës, por që ka pasur dhe ka probleme shëndetësore, Jozefina praktikisht ka vendosur shishen proverbiale të qumështit në rradhën për postin e Presidentit të Republikës, në rast se presidenti aktual, për arsye shëndetësore, jep dorëheqjen. Dhe me 71 vota të kontrolluara tërësisht nga Berisha, ajo shpreson mos t’i dalë më në rrugën për në presidencë një pakicë bllokuese, si ajo e vjetshme e Metës.
Por vendimi i Berishës për t’i bërë ftesë FRD-së për futje në koalicion, e turbullon ëndrrën presidenciale të Jozefinës. Futja e FRD-së në koalicionin e Berishës mund të jetë e vetmja lëvizje strategjike e tij për të rivendosur një farë balance elektorale mes kampeve, sidomos pas shpalljes së paktit PS-LSI. Por ndërkohë, ardhja e FRD-së në koalicion mund të sjellë në Kuvend një pakicë bllokuese për rrugëtimin e Jozefinës drejt Presidencës. Për të mos thënë që Berisha mund t’i premtojë Bamir Topit rikthimin në Presidencë, në shkëmbim të rikthimit në koalicion.
Një dilemë eskiliane për kryeparlamentaren kjo – I duhet fitorja e Berishës për realizimin e ëndërrës së saj presidenciale, por kjo fitore mund të arrihet me ndihmën e Topit, i cili me siguri do t’ia vrasë atë ëndërr….
/ResPublica/





