Një sërë biznesesh që operojnë në Rrugën e Dëshmorëve në Durrës, që shtrihen nga pallati i sportit deri te Mauzoleumi i Dëshmorëve, prej disa ditësh po ndeshen me probleme në lidhje me furnizimin me energji elektrike.
Ata po furnizohen me cilësi të dobët të energjisë elektrike, me fuqi 270 kw, nga 380 kw që duhet t’u shkonte sipas kontratës që lidh kompania me abonentin për furnizimin me energji elektrike.
Është njëri prej biznesmenëve që ngre shqetësimin e tij dhe shumë të tjerëve në redaksinë e “DurrësLajm”. Pas ankimimeve që ata kanë bërë në OSHEE, specialistët u kanë shpjeguar që furnizimi në këtë zonë aktualisht po bëhet me linjën 20 kw nga Porto Romano, nga linja 40 kw që duhet t’u shkonte nga Shkozeti për shkak të disa defekteve, duke çuar si rrjedhojë në këtë anomali. Ndërkohë, bëhet me dije se vijojnë punimet për ndërrimin e kabullit të dëmtuar që ka shkaktuar këto probleme.
Por furnizimi i dobët dhe i parregullt përkthehet në kosto shtesë për këta persona që ushtrojnë veprimtarinë e tyre çdo ditë. Një prej gjelltoreve në këtë zonë, prej ditës që janë shfaqur problemet, i duhet gati dyfishi i kohës për të pjekur e gatuar pulat apo ushqimet e tjera. Pra, nëse përpara u duhej mesatarisht 30 minuta për pjekje, tanimë u duhet gati një orë. Ndërkohë që automati xhiron dhe kilovatët shtohen në fund të ditës, dhe si përfundim fatura u vjen më e kripur dhe rrezikojnë edhe ankesat e klientëve nga ana tjetër. Ndërsa për disa biznese të tjera, fuqia e dobët nuk është në gjendje që të vërë në lëvizje disa prej pajisje elektronike.
Kjo situatë vazhdon prej gati 3 ditësh, ndërsa abonentët e biznesit që janë të prekur, bëjnë apel që gjendja të përmirësohet sa më parë.





