Tiranë, 3 gusht 2014 – Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku u shpreh se çmimi i energjisë do të rritet dhe se Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, u rrek t'u hedhë hi syve shqiptarëve duke u kujtuar atyre se rritja e fundit ka ndodhur para 4 vitesh,

“Ndonëse sipas tij “një lajm i mirë”, siç e quajti ministri Gjiknuri kalimin në qeveri të marrëveshjes së huasë me Bankën Botërore prej 150 milionë dollarësh, zëri i tij i mekur i përforcoi edhe më shumë lajmet e këqija të mëposhtme për shqiptarët: Çmimi i energjisë do të rritet! Është saktësisht ajo që Partia Demokratike ka paralajmëruar prej muajsh”,tha deputetja Tabaku.

Ajo shtoi se çmimi do të rritet paçka shakasë së hidhur të Gjiknurit se do të ketë rritje, por konsumatori familjar do të mbrohet.

“Gjiknuri u rrek të lajë duart duke thënë së çmimi do të rritet sepse kështu mendon Enti Rregullator, por sot gjithkush e ka të qartë se i vetmi “ent rregullator” që kërkon të rrisë çmimin është qeveria shqiptare. Gjiknuri tha se huaja po merret për të reformuar sistemin energjetik, por nuk denjoi t’ju shpjegonte shqiptarëve se përse një shumë pothuaj të njëjtë me këtë hua ia pagoi CEZ-it dhe një tjetër, të paktën 4-fishi i saj me detyrime të papaguara ia fali kompanisë çeke?”,tha deputetja demokrate.

Tabaku u shpreh se Gjiknuri u rrek të mashtronte shqiptarët duke ju thënë së çmimi do të rritet nga gjoja keqmenaxhimi i qeverisë së mëparshme duke harruar se ka një vit në atë karrige dhe përveç faturave aforfe, faturimeve fiktive nga zyra, perveç skandalit me CEZ dhe skandaleve të tjera që do të bëhen publike së shpejti nga opozita, asgjë të re, asnjë reformë, asnjë strategji e asnjë plan për të rregulluar sektorin energjetik, nuk ka.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/