Tiranë, 14 shtator 2014 – Edhe pse është bërë e ditur se që prej 1 janarit 2015 shqiptarët do ta paguajnë energjinë me një çmim më të lartë se ai aktuali, Enti Rregullator (ERE) ende nuk e ka vendosur se si do të jetë skema e re. Pritet që Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) të paraqesin pranë Entit Rregullator kërkesat e tyre për tarifat duke i argumentuar ato sipas shpenzimeve, të ardhurave dhe planit të investimeve.
Janë tre variantet e skemës që po diskutohen për të përcaktuar më pas çmimin përfundimtar që do të paguajnë konsumatorët për kWh. Një prej tyre është që të ruhet fasha e 300 kWh me çmim 7,7 lekë për kilovat/orë (kWh) dhe për shpenzimin mbi 300 kw, çmimi të jetë mbi 13,5 lekë për kw. Variant i dytë është ulja e tavanit prej 300 kWh, dhe tarifimi me 13,5 lekë për kWh të nisë në një nivel më poshtë, midis 220 kilovat/orë.
Ndërsa variant i tretë i skemës është tarifimi me një çmim unik, i cili do të jetë më i lartë se çmimi mesatar prej 9,56 lekë, kWh. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, në daljet e tij publike nuk ka mohuar kurrë rritjen e çmimit të energjisë. Por kur këmbëngulja e medieve u bë intensive pak ditë më parë, Gjiknuri e çoi “topin” tek ERE, kur tha se është kompetencë e Entit që të ndryshojë tarifat. Sigurisht që Enti, nuk do të bënte kurrë shtrenjtim energjie nëse kjo nuk do të kërkohej nga institucionet në varësi të qeverisë.
Pak ditë më parë shqetësim për rritjen e çmimit të energjisë e ka shprehur edhe kreu i misionit të FMN në Shqipëri Nadeem Ilahi. Fondi e ka këshilluar qeverinë të rrisë çmimin. Ilahi, deklaroi se për të përmirësuar situatën duhet një kombinim mes vjeljes së faturave si dhe prodhimit të energjisë. Ndërsa Konfindustria, vlerëson, se rritja e çmimit të energjisë elektrike, në kushtet kur pothuaj 50% e sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet humbet për arsye teknike dhe mospagesës, rrezikon të përkeqësojë edhe më shumë jo vetëm zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe vetë gjendjen financiare të operatorëve të prodhimit dhe shpërndarjes.
Tarifat aktuale janë si më poshtë për abonentë familjarë
Blloku i parë deri në 300 kWh – 7.7 lekë
Blloku i dytë mbi 300 kWh – 13.5 lekë
Tarifa fikse e shërbimit ë furnizimit 200 lekë/muaj për leximin “zero”
Tarifa për konsumin e energjisë elektrike në ambientet e përbashkëta (shkallë, pompë, ashensorë, etj) – 8 lekë/kWh.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





