Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, në një intervistë është shprehur kundër retorikës nacionaliste që ka përvijuar së fundmi në Shqipëri dhe Kosovë.

Ai është shprehur se lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të natyrshme, por vlerëson se me to nuk duhet të abuzohet, pasi një gjë e tillë mund të jetë e dëmshme.

“Jam i shqetësuar për këto retorika, pasi ne luftuam shumë për pavarësinë e Kosovës. Është e natyrshme që të ketë lidhje të ngushta dhe ndjenja vëllazërie mes Shqipërisë dhe Kosovës, por komentet për një Shqipëri të Madhe nuk mund të jenë kurrë të dobishme. Kosova është Kosovë dhe Shqipëria është Shqipëri”, ka thënë Engel.

Gjatë intervistës, Engel ka uruar popullin e Kosovës për pesë-vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar progreset e arritura gjatë kësaj periudhe.

“Mendoj se ka rëndësi që SHBA të luajnë një rol kryesor në çdo proves që bëhet me Kosovën. Ia kam thënë këtë ish-sekretares Clinton dhe do t’ia them edhe sekretarit aktual John Kerry kur ta takoj. Takova zonjën Ashton më herët dhe diskutova me të për Kosovën dhe thash se ka nevojë që të bëhet progres me Kosovën dhe që Kosova të afrohet me NATO-n dhe BE-në”, ka thënë kongresmeni.

Më tej, ai është shprehur në favor të heqjes së vizave për Kosovën, por ka nënvizuar se edhe Kosova duhet t’u vërë vesh kërkesave të Brukselit.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk mund të luftohen me një të rënë të shkopit, por nëse Brukseli e kërkon këtë, atëherë Prishtina duhet ta marrë seriozisht”, ka shtuar Engel.