Juxhin Guza! Një emër që është kthyer në ikonë jo vetëm e dhimbjes, por e asaj që quhet pavdeksi. Sa herë e përmënd këtë emër, aq herë merr fuqi për të thërritur me forcën e shpirtit, se jo, jo ky Juxhin Guza nuk ka vdekur dhe as ka për të ndodhur me të një gjë e tillë. Nuk dua ta bëj dhimbjen më shumë sa në fakt ekziston, sepse në këtë shkrim përkujtimor dua të tregoj se Juxhin Guzën e kemi ndërmjet nesh.
Ai mbetet gjithnjë i qeshur, teksa çdo ditë kryen stërvitjen ditore në volejboll, shkon pranë shokëve në punë dhe vazhdon aktivitetin e tij të përditshëm. Ja unë e ndjej dhe madje nuk jam i vetmi, që për çdo ditë e përshëndes, bisedoj me të dhe buzëqeshja e tij e lindur më bën të përqafoj një optimizëm të pazakontë.
Eh Juxhin Guza, djali i ëmbël i nënë Irmës, baba Luanit dhe vëllai i dashur i motrës së vet Fjoralbës! Ti po qan nënë Irma! Rrobat e zeza më duken si një vello e bardhë, që mbulojnë rininë e përjetshme të Juxhin Guzës dhe me këtë rast sikur bekohet një nga dhëndurët më të bukur të botës, i vetmi, i vetmi… Po ktheheshim nga Bursa atë 11 shtator të vitit 2011.
Motra jote Fjoralba kishte përfaqësuar Teutën e saj, Teutën tënde, Teutën time në këtë qytet të Turqisë. Dhe si një zakon shqiptari kishte ndarë dhurata për njerëzit më të dashur. Të kishte blerë një palë këpucë për ty biri im Juxhin dhe i mbante si një gjë tepër të shtrenjtë. –Vëllaçko do të më bëhet më i bukur me këtë dhuratë, pëshpëriste brenda qenies së saj motra e dashur.
U bënë ditë pa u parë. Oh sa më ka marrë malli! Të kam parë pa ditur se ishte hera e fundit, teksa u hodhe në krah të motrës dhe si dy njerëz të lumtur dhe të bekuar nga zoti morët rrugën drejt prindërve të shtrenjtë: Irmës dhe Luanit. Çfarë po flas dhe unë kështu?! Si hera e fundit? Kurrë jo! Teksa po zbardhte dita e re e 12 shtatorit, eh këto veshët e mi kapën të keqen. Si Juxhinin tonë, e kishin grirë me thika në terrin e natës, aty ku e keqja bën strehën e saj? Jo, jo deri këtu jo! E pse? Për çfarë?
Dhe në orën 18.30 zemra sa nuk më del nga vendi, kur mësova se Juxhinin na e kishte marrë vdekja. Kriminelët po hidhnin valle sipas muzikës së zogjve të kobshëm, ndjellakeq. Juxhin Guza, ky volejbollist simpatik i Durrësit, ky njeri paqësor dhe në të drejtë të zotit, ky djalë flori i Luanit dhe i Irmës, ky vëlla i ndjeshëm i motër Fjoralbës më thanë se nuk jeton më.
Kjo “shaka” nuk është mirë të bëhet. Engjëjt nuk vdesin! Një Durrës i tërë derdhi lot, e lumi i dhimbjes krijoi një shtrat gjigand. Një kostum dhëndri dhe me sy të mbyllur e bën më të bukur Juxhinin tonë, e bën më të gjallë, e bën që koha sado që të konsumohet ta mbajë këtë djalë të artë gjithnjë të ri, gjithnjë e më të pavdekshëm. Teuta është në parket. Në formacion numri 7, Juxhin Guza.
Tifozëria është derdhur nëpër shkallë, e i gëzohet lojës së djalit të tij. Bravo Guza! Dhe pas kësaj Teuta kampione, por ama me Juxhin Guzën në përbërje. Të kam uruar me shpirt me 11 gusht, 25 vjetorin tënd të lindjes. Mos jam gabim që të të veçoj, duke gjykuar se ti je i vetmi me dy data lindjeje?! E para me 11 gusht dhe e dyta kjo pra e 13 shtatorit.
Me 11 gusht ti linde në tokën mëmë dhe me 13 shtator u ktheve në ëngjëll dhe fluturove lart në qiell. Unë të shikoj për ditë Juxhin dhe të përshëndes. Dhe ti mbetesh gjithnjë me merakun e motër Fjoralbës, të nënë Irmës dhe baba Luanit, të miqve dhe shokëve që i deshe aq sa s’bëhet më. Me 10 shtator, pikërisht në ditën që del Dyrrahu ynë, në pallatin e sportit bëhet një kupë për nderin tënd, për emrin e pa cënuar që le pas, për kujtimin tënd që nuk shuhet në jetë të jetëve.
Me siguri edhe ti do të jesh aty. Janë shokët dhe miqtë e tu që kurrë nuk kanë për të hequr dorë nga kupa më e veçantë në botë. Ajo quhet trofeu Juxhin Guza. Do të flitet për ty, do të duartrokitet për ty, do të fiksohen kujtime për jetën tënde, për ditët më të bukura dhe më të lumtura të saj. Veçse do të lutem për një gjë Juxhin!
Ndihmoje nënë Irmën të mos derdhë lot, Fjoralbën e pazëvëndësueshme të përballojë mungesën e vëllait dhe baba Luani të frenojë sadopak dhimbjen. Të bëjmë që edhe shokët dhe miqtë e tu, të mos ligështohen por të të kujtojnë me gjuhën e sportit dhe të ndjenjave atë ditë të 1 vjetorit të largimit tënd për në qiell. Bardhësia e shpirtit tënd le t’i mbulojë ata për tërë jetën. Kështu është më mirë.
Kupa Juxhin Guza fillon me 10 shtator. Në mbrëmje tek Vila Park do të flitet për ty. Lenti, nga njerëzit më të dashur, do ta harrojë ditëlindjen e tij me 12 shtator, sepse mëndjen do ta ketë tek ty. Dhe 14 shtatori do të na mbledhë të gjithëve për thënë si në një kor gjigand, me të gjithë zërat e bashkuar në një të vetëm: Jo, jo Juxhin, ti nuk ke vdekur. Ti je kthyer në një engjëll që strehën e ke në qiell dhe në zemrat e gjithsecilit. Engjëjt nuk vdesin!
Trofeu Juxhin Guza
Me dëshirën e jashtëzakonshme të Klubit shumësportesh Teuta, Federatës Shqiptare të Volejbollit, të presidentit të ekipit Teuta Markelian Rexhepi, të miqve dhe shokëve të pafund, me 10 shtator 2012 në orën 17.00 organizohet trofeu Juxhin Guza. Njerëzit e biznesit, por edhe të sportit, Lefter Koka dhe Sami Gjergji, kanë marrë përsipër të gjitha shpenzimet e kësaj dite. Në kupën e vënë me rastin e 1 vjetorit të vrasjes misterioze të volejbollistit pikant të Teutës, 24 vjeçarit Juxhin Guza marrin pjesë ekipet e Teutës, Studentit dhe Tiranës.
Por surpriza mbetet tek një ekip tejet i veçantë, i krijuar enkas me volejbollistë pikantë dhe shumë të njohur. Ndër to veçojnë emrat e Agron Dukës, Sajmir Guzës, Indrit Bukës, Roland Tares, Harri Nakovskit, Vuk Medenicës, Angjel Nikolov, Aurrel Kaja, Artur Gjeçi etj. Ndeshjet zhvillohen me sistem eliminimi me nga dy sete.
Në përfundim trofeu Juxhin Guza do t’i dorëzohet njërezve të afërm të familjes të volejbollistit, ndarë tragjikisht nga jeta një vit më parë. Është menduar që në mbrëmje në lokalin Vila Park të organizohet një darkë, ku të pranishmit sigurisht do t’ia kushtojnë kujtimit të çmuar të figurës dhe aktivitetit të volejbollistit Juxhin Guza.