Avokatja Eni Çobani, e njohur në publik për emisionin “Shihemi në Gjyq”, është paditur rreth një javë më parë në prokurorinë e Korçës për mashtrim nga shtetasja Valbona Hasankolli, e cila pretendon se është mashtruar prej avokates, të cilën e ka pasur si përfaqësuese në një çështje.
Lajmin e bën të ditur portali “citynews”, i cili ka kontaktuar me Valbona Hasankollin, e cila është shprehur se e ka ngritur këtë padi, pasi avokatja i ka marrë 3.5 milionë lekë të vjetër për një çështje që është pushuar në gjykatë. Ndërkohë, Çobani e kishte njoftuar se ajo e kishte fituar gjyqin.
“Kam pësuar një dëmtim në punë dhe për këtë çështje kam marrë avokaten Eni Çobani që të më përfaqësojë në këtë çështje. Janë zhvilluar disa seanca dhe nga ana e avokates Çobani. Mu tha se unë e kisha fituar çështjen, ndërkohë informohem se çështja është pushuar”.
Sipas asaj çka ka thënë Valbona Hasankolli, kjo e fundit është takuar me avokaten Eni Çobani në Tiranë dhe i ka kërkuar një shumë tjetër lekësh për të vazhduar çështjen penalisht.





