Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 7 nëntor 2014– Profil qytetar: Eniana Cemurati (Isufi), e lindur në Durrës, juriste, aktualisht kryen funksionin e ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. E lindur dhe e rritur në një qytet të bukur e plot tradita siç është Durrësi, pa dyshim që ajo transmeton kulturën, tolerancën dhe mirësinë e këtij qyteti të lashtë. E diplomuar qysh në vitin 1999 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, ajo ka patur një karrierë të larmishme në profesionin e saj dhe jo vetëm. Më herët ka qenë Avokate e Shtetit, një nga Ndërmjetësit e parë të qytetit tonë duke dhënë një kontribut të veçantë në promovimin e “ndërmjetësimit” në Shqipëri, si dhe avokate pranë Dhomës së Avokatëve Durrës. Një angazhim i saj i spikatur vitin e kaluar, ishte dhe pjesëmarrja në aktivitetin politik të partisë Fryma e Re Demokratike, duke drejtuar degën e Durrësit e duke qenë kështu pjesë aktive e fushatës në zgjedhjet kombëtare 2013.

 Enianë, c’është drejtësia për ju? Si do ta përkufizonit?

 Drejtësia është një fjalë e përdorur qysh në Librat e Shenjtë dhe kuptimi që ajo bart nuk është thjesht njerëzor, por edhe hyjnor. Të kërkosh drejtësi, të bësh drejtësi, nuk është çështje e një individi, është çështje që i takon të gjithë shoqërisë, sepse që të kemi një marrëdhënie perfekte “kërko-bëj” drejtësi, do të duhet të funksionojë një sistem i tërë; dhe kur flas për sistem, këtu përfshij edhe shoqërinë, jo vetëm institucionet. Ne jemi një komb i  cili ka vuajtur për 40 vite “drejtësinë” diktatoriale, e që po vuan ende mbi 20 vite “drejtësinë” e tranzicionit; e theksoj “tranzicionit”, pasi nuk e konsideroj “demokraci” këtë moment që po kalon vendi ynë, ende jo…për fat të keq. Të shtrënguar nën një diktaturë të egër, e cila i bëri dëm moralit tonë, pas viteve ’90, ideali i një shumice (për fat të keq) u bë “qenia i fortë, realizimi i cdo qëllimi duke justifikuar mjetin”. Detyrimisht ky ideal do të përdhoste kuptimin e fjalës “drejtësi”. E sot, pas kaq vitesh, shoqëria jonë endet në llumin e “të kërkuarit dhe të bërit drejtësi”. Që gjërat të ndryshojnë, duhet të ndryshojë secili nga ne, në thelb, në mentalitet, që do të thotë ta kërkojmë drejtësinë, pasi ne vetë ta zbatojmë drejtësinë. Drejtësinë, unë personalisht do ta përkufizoja si idealin dhe “thembrën e Akilit” për çdo shoqëri. Pa drejtësi nuk ka shtet,  pra ka anarshi.

Cilat janë sfidat e një avokati të ri në ditët e sotme?

 Profesioni i avokatit ka qenë profesioni që më ka tërhequr qysh në fillim, pasi të mbrosh dikë apo të kërkosh një të drejtë civile të mohuar, të shtyn të investigosh, të lexosh dhe të interpretosh përmes rreshtave, për të arritur realizimin e qëllimit që ti kërkon. Kur aftësia e të lexuarit, e të kërkuarit, e investigimit vishet edhe nga pasioni për këtë profesion, atëherë mund të themi që kemi një avokat të përsosur. Por të bësh avokatin në Shqipëri, është krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim nëpër filma; unë kam punuar avokate dhe e di shumë mirë se jo gjithmonë aftësia jote për të investiguar e për të mbrojtur me profesionalizëm kërkesën e palës që ti përfaqëson, të përkthehet në “shpërblim”, pra në fitimin e çështjes. Eshtë e hidhur, por ky është realiteti shqiptar. Ndaj e kam të vështirë të këshilloj një avokat të ri; ajo c’ka mund t’i them është të veprojë si unë, vetëm me drejtësi,  pavarësisht se do të ketë përballë shumë barriera, pavarësisht se ndoshta do të “fyhet” nga kolegët për “naivitetin”, pavarësisht se ndoshta do të rrëzohet në disa çështje…..gjithsesi, ai do të ketë gjithmonë me vete krenarinë e një avokati të zotë, të drejtë, të cilin, duan apo s’duan, e respektojnë të gjithë. Ajo ç’ka do të uroja për avokatët e rinj, është që ata t’ia ndryshojnë sadopak “faqen” kësaj drejtësie që po jetojmë, pasi edhe avokatët janë një pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë dhe kontributi i tyre, në të bërin drejtësi është tejet i vlefshëm.

Cili është vizioni yt për politikën e udhëhequr nga drejtësia dhe principet Enianë? A ju duket idealizëm deri në utopi?

Unë kam qenë pjesë e politikës për një kohë të shkurtër dhe angazhimi im në partinë Fryma e Re Demokratike ishte pikërisht i udhëhequr nga drejtësia dhe principet, dhe kjo, pikërisht se unë besoj te politika e udhëhequr nga drejtësia dhe principet. Angazhimi  im në zgjedhjet e Qershorit 2013, më bëri të shikoja edhe pjesën tjetër të ajsbergut (politikës), atë të padukshmen, e cila jo gjithmonë përputhet me drejtësinë dhe principet. Por kjo gjë, nuk më bën pesimiste; nëse do të vazhdoja ende në politikë, pa dyshim që angazhimi im do të udhëhiqej nga këto principe. Sot në politikën shqiptare, ka politikanë që udhëhiqen nga ndershmëria dhe të bërit politikë në të mirë të kombit, e kjo është “a”-ja e politikës për mua. Nëse populli të voton, atëherë angazhimiyt padiskutim duhet të jetë t’i shërbesh në mënyrën më të mirë kombit, atdheut. Tingëllon ndoshta si shumë patriotike, por në fakt ashtu duhet të jetë. Të përfaqësosh popullin tënd në parlament, apo aq më tepër në Qeveri, është njësoj si të luftosh për të mbrojtur trojet e tua. Nëse luftëtarët betohen për besnikëri ndaj atdheut e kombit, deputetët e qeveritarët betohen për besnikëri, ndershmëri e përkushtim ndaj tyre. Pra, teorikisht, politika duhet të udhëhiqet nga drejtësia dhe principet, se vetëm nëpërmjet tyre ajo mund t’i shërbejë ashtu sic duhet kombit e atdheut. A ndodh kjo? …..No comment…. Kërkoj ndjesë për këtë shpehje, por me keqardhje nuk dua të komentoj përgjigjen e kësaj  pyetje. Realiteti shqiptar është përgjigjia e pyetjes. Personalisht mendoj se politika e udhëhequr nga drejtësia dhe  principet është idealizëm, por nuk është utopi; ky idealizëm  do vetëm politikanë të ndershëm dhe vullnet të mirë për të bërë një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri europiane ashtu siç i takon. Dhe unë kam bindjen se njerëz të mirë dhe politikanë të mirë, ne kemi. E nëse do kemi një vullnet të mirë politik për të zgjedhur në krye njerëz të ndershëm,të inspiruar për të bërë drejtësi e për t’i shërbyer kombit, ky idealizëm nuk do të mbetet utopi. Unë besoj dhe lutem që Shqipëria të hyjë sa më shpejt në rrugëtimin e një qeverisje me drejtësi, me ideale e principe, por pa dyshim që gjithcka kërkon kohë “të piqet”. Ndoshta ka ardhur koha…

 Nëse një ditë do të ishit Avokat i Popullit, cilat do të ishin prioritetet tuaja?

Nuk kam asnjë kundërshtim me prioritetet e deritanishme të Avokatit të Popullit, por në ndryshim nga ai, unë nuk do kisha prioritet vetëm një kategori të caktuar; e kam fjalën këtu për “romët”. Shohim nga mediat se këta janë një nga prioritetet kryesore të Avokatit të Popullit. Unë nuk do të përqëndrohesha vetëm në një kategori, aq më tepër që personalisht mendoj se minoritetet në Shqipëri nuk janë diskriminuar asnjëherë. Unë do të kisha priorietet shtresat e varfra, zëri i të cilëve humbet rrugës nëpër shkallët e pushtetit. E Shqipëria, të tillë,ka shumë… Ka shumë familje që sot nuk arrijnë të ushqehen, nuk kanë strehë, nuk kanë punë, nuk kanë mundësi  për punë, e Avokati i Popullit duhet të jetë më pranë tyre jo vetëm me deklarata apo takime, por me realizime konkrete. Zëri i tij duhet të jetë i fuqishëm dhe një oponencë serioze e qeverisë, për të ndikuar në politikë-bërjen e saj realisht, konkretisht, sepse vetëm kështu mund të përfaqësosh me dinjitet postin e Avokatit të Popullit.

Ç’këshilla do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin rrugëtimin tuaj?

Së pari do të uroja që të rinjtë e sotëm të rriten e edukohen me besimin tek Zoti dhe me dëshirën për mësim e punë. E them këtë, sepse besoj se “besimi” është një ndikim pozitiv në formimin e “njeriut të mirë”, dhe se dëshira për mësim e punë, është një armë e fuqishme për të pasur një rini të shëndetshme, e cila do t’i shërbejë më së miri Shqipërisë. Së dyti, do t’u thoja të kenë gjithmonë guxim, guxim për të ndryshuar për mirë, guxim për të sjellë gjëra të reja, guxim për të shkelur realitetin e hidhur e për t’u “rebeluar” ndaj së keqes, guxim për të bërë një Shqipëri europiane ashtu sic kemi  kaq shumë vite që e ëndërrojmë. Uroj me shpirt që këto fjalë, të mos bien në vesh të shurdhër, pasi unë vërtet besoj se rinia është “ndryshimi”, është “e reja”, është “e ardhmja”, e nëse kjo rini do të vijë me ideale për të bërë shtet e drejtësi, pa dyshim që drejtësia në Shqipëri nuk do të jetë më utopi.