28 tetor 2015 – Finalizohet me sukses operacioni ndërkombëtar “Enigma” duke shkatërruar një grup kriminal me origjinë shqiptare, të cilët vepronin në territorin italian duke tregtuar sasi droge e duke investuar më pas përfitimet në sektorin turistik dhe hotelerisë.
Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve te Rënda, Prokurorinë Italiane të Venecias, Guardia di Financa-n dhe Zyrën Ndërlidhëse Interforcë në Tiranë si dhe me mbështetjen e Drejtorive të Policisë Vendore Tiranë dhe Durrës.
Hetimet kanë filluar para 5 vitesh, në vitin 2010 nga Gjykata e Venecias e cila në përfundim të hetimeve ka lëshuar 21 urdhër-arreste për personat përgjegjës të këtij grupi kriminal.
Në një konferencë për shtyp, zyrtari i policisë së shtetit bëri me dije se deri tani janë arrestuar 16 persona në flagrancë dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë.
Vendimi është ekzekutuar në të njëjtën kohë si në territorin shqiptar ashtu dhe në territorin italian në bashkëpunim të ngushtë midis Autoriteteve Gjyqësore dhe Policisë së të dy vendeve, me koordinimin e policisë të Drejtorisë Qendrore të Antidrogës, të Shërbimit Qëndror për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme si edhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza – Reparti i 2të.
Janë në vazhdim kontrolle në Itali dhe në Shqipëri si dhe janë impenjuar forca të shumta policore nga të dy policitë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë.
Si vepronte grupi kriminal
Droga me origjinë të paditur, në bordin e autoveturave dhe të kamionëve arrinte në Veneto dhe në Trentino Alto Adige ku grupi kriminal dispononte bazat logjistike për përpunimin dhe konfeksionimin.
Më pas sasitë e lëndës narkotike shpërndaheshin në Veneto, Trentino Alto Adige, Lombardi dhe Toskana.
Bosët e organizatës ishin në Shqipëri
Organizata kriminale e cila ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit, kishte krerët e saj në Shqipëri dhe ndërtohej si më poshtë:
* një qelizë shpërndarje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento;
* një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve në bordin e autoveturave të pajisura me një fund të dyfishtë ose nëpërmjet rrugëve ajrore;
* një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës që ndodhej në Roverkiara (VR);
* një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave.
Struktura ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që atëherë kur një qelizë e vetme do të neutralizohej nga forcat e policisë, organizata do të vazhdonte të furnizonte tregun me lëndë narkotike dhe mbi të gjitha do të ishte shumë e vështirë të arrihej te degëzimet vepruese.
Paratë që buronin nga shitja e drogës dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet korrierëve për t’u përdorur për blerjen e lëndës narkotike dhe për realizimin e investimeve në pasuri të patundshme.
Përse u quajt operacioni “Enigma”
Hetimet teknike kanë treguar një cilësi të veçantë të grupit kriminal, i cili përdorte për komunikimin në distancë, një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar. Që këtu rrjedh emri “Enigma” për operacionin që i referohet kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë luftës së dytë botërore.
Ora 11:00 – Policia italiane dhe ajo shqiptare kanë shkatërruar një grup të organizuar kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Itali. Sipas mediave të vendit fqinj, 21 persona janë arrestuar, ndërsa kërkimet po vazhdojnë për pjesëtarët e tjerë të këtij rrjeti trafikantësh.
Operacioni i koduar “Enigma” ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure dhe është kryer në disa rajone të Italisë. Janë konfiskuar asete me vlerë 10 milionë Euro, rreth 1000 kg drogë dhe dy rafineri në provincën e Veronas dhe Trentos. Sipas mediave italiane, kërkimet janë duke u zhvilluar gjithashtu edhe në Shqipëri në bashkëpunim me policinë shqiptare.
“Organizata ishte e strukturuar në modelin e funksionimit të celulave terroriste, me qëllim që ajo të vijonte punën dhe në rastet kur ndonjë prej bashkëpunëtorëve të mund të arrestohej.
Kodet kundër përgjimeve ndryshonin çdo javë: Kjo është arsyeja që operacioni është koduar “Enigma” si makina e famshme e cila deshifronte mesazhet e përdorura nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Makina elektro-mekanike arriti të deshifronte mesazhet që ndihmuan në shkatërrimin e trafikut të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë”, shkruan Rainews.it.
/portali DurresLajm/





