29tetor 2015 – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit, nis hetimet ndaj kolegëve të tyre për dekonspirimin e operacionit të përbashkët hetimor mes prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane. Policia e Durrësit, ka ngritur dyshimet se efektivë të antidrogës kanë njoftuar njërin nga vëllezërit e shpallur në kërkim për operacionin e policisë. Ky dyshim ka ardhur pasi asnjë prej vëllezërve që ishin në kërkim nga drejtësia italiane dhe që deri në momentet e fundit po vëzhgoheshin nga agjentët e policisë, nuk është arrestuar.
Sipas burimeve nga prokuroria, dyshohet se Altin Hajri është brenda territorit shqiptar dhe është njoftuar nga persona brenda policisë së shtetit, çka ka mundur të largohet në drejtim të paditur. Ndërsa, për vëllan e tij, Emiljano Hajri rezulton se ka ikur nga Shqipëria më 28 shtator nga aeroporti i Rinasit duke fluturuar drejt Italisë. Sipas akuzës, referuar materialeve të ardhura me letër-porosi nga drejtësia italiane dy vëllezërit Hajri nga Shijaku rezultojnë se janë organizatorët e këtij rrjetiotë trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Gjithashtu për llogari të kësaj dosje, prokuroria në bazë të ligjit antimafia ka sekuestruar pronat dhe pasurit e të shpallurve në kërkim Altin e Emiljano Hajri, e që janë një ambient me sipërfaqe 10 mijë m2 ku është edhe qendra tregtare dhe hotel si dhe dy apartamente. Ndërkohë mësohet se llogaritë bankare i kanë boshatisur vetëm pak kohë më parë, çka prokuroria nuk ka arritur të sekuestroi asnjë qindarkë. Një nga dyshimet e dekonspirimit të operacionit, është edhe fakti i tërheqjes së parave nga llogarit bankare CASH nga vëllezërit e shpallur në kërkim dhe pjesëtarët e afërm të familjes. /abcnews/