Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 10 korrik 2014– Për gati 2 muaj ka një zallamahi kandidaturash për kryetar PD-je në degën lokale të Durrësit ose më mirë të themi për “doktor”, që do e shërojë PD-në në opozitë dhe do i mundësojë asaj të fitojë zgjedhjet lokale. Kujtojmë, që ka 14 vjet, që PD-ja e humb Bashkinë e Durrësit, ndonëse përgjithësisht del forcë e parë politike në qytetin e dytë të Shqipërisë dhe portin kryesor të vendit.
Surpriza e kandidaturave për kryetar PD-je në Durrës është pikërisht emri i Enis Fanit. Deri pak ditë më parë kulisat e PD-së durrsake përmendnin dhjetra emra, por veç emrin e z. Fani nuk e përmendnin. Burime mjaft të besuara pranë PD-së në qendër, jo vetëm PD-së te SHQUP-i, por edhe pranë asaj “zyrës “ së PD-së te grataçela e Bashkim Ulajt, shprehen se z. Fani është asi në mëngë i kreut historik të PD-së, Sali Berishës. Njerëz si Florion Xhuti janë ndër më të informuarit në PD-në aktuale në Tiranë dhe normalisht dinë se kë zgjedhin për ta hedhur si kandidaturë për kryetar PD-je në Durrës në momentin e fundit.
Eksperienca negative e zgjedhjeve në Vlorë, Gjirokastër dhe tërkuza e zgjedhjeve në Shkodër e ka detyruar Berishën të ndërrojë taktikë në Durrës. Për të fashitur pakënaqësinë e qytetarisë durrsake ai ka sjellur si kandidaturë për t’u votuar këtë të premte emrin e Enis Fanit. Kandidatura Fani është pikërisht kandidatura për t’u mbyllur gojën demokratëve durrsakë denbabaden dhe veteranë (që nga viti 1990-1991) të PD-së, të cilët ankoheshin se na mbytën katundarët, na mbytën malokët, ku janë familjet e mëdha durrsake, ku është palca e vjetër e PD-së etj. etj.
Pikërisht Enis Fani, nga i jati i ndjeri Rifat Fanit (familje e sekuestruar dhe e rrjepur nga famëkeqi Tatimi i jashtëzakonshëm i luftës), dhe nga e ëma pinjolle e familjes së mirënjohur Deliallisi, e sekuestruar, e torturuar dhe e burgosur nga komunizmi (daja i tij Avdulla Delialisi deri në korrik 1990 mbahej nën mbikqyrje të rreptë nga Sigurimi), përmbush të gjitha pritshmëritë e demokratëve të vjetër qytetarë durrsak. Ai është pinjoll i një familje të shquar qytetare durrsake, e persekutuar nga komunizmi, e lidhur me PD-në, që në dhjetor 1990, asnjëherë e përfolur si abuzuese me poste zyrtare, kur PD-ja ishte në pushtet.
Me dinakëri Berisha po luan kartën Fani, jo vetëm për të fashitur pakënaqësitë e demokratëve durrsakë, por edhe për t’i nxjerrë përballë të majtës PS-LSI, një figurë, të cilën nuk e godet dot për korrupsion, për të kaluar komuniste apo për kompromise nën tryezë me të majtën durrsake të përfaqësuar fuqishëm nga kryebashkiaku Dako.
Këtë të premte vota e fshehtë do ta tregojë nëse nuhatja e politikanit veteran Berisha ka qenë e saktë apo jo. Ngelet për t’u parë pikërisht nesër, kush do të përballet me dyshen Koka-Dako në “mejdanin” e zgjedhjeve lokale të vitit 2015.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





