TIRANE, 23 mars 2013- Zv. ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, ka dalë në një konferencë për mediat në lidhje me shkrimin e kreut të Partisë Socialiste në blogun e tij.

“ Sot kryeministri Berisha vijoi të prezantojë zgjidhje konkrete për krijimin e vendeve të reja të punës, duke investuar në infrastrukturë, energji, sisteme vaditëse, fabrika etj. Vetëm në rrugët e të gjitha kategorive nga projektimi deri tek hedhja e betonit, janë punësuar vetëm në një vit 45 mijë shqiptarë.

Zoti Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër çdo fondi që punësoi këta 45 mijë shqiptarë, i detyroi të votojnë kundër fondit për ndërtimin e 10 mijë km rrugë, kundër ndërtimit të 16 impianteve vaditëse, kundër ngritjes së terminalit të pasagjerëve në portin e Durrësit, kundër uljes së taksave dhe reformave në përmirësimin e biznesit, kundër të gjitha konçensioneve duke u zotuar publikisht ti anullojë ato.

Rama nuk bën gjë tjetër veçse voton kundër hapjes së çdo vendi pune për punëtorët e ndërtimit, të autostradave, kamionistët, punëtorët e fabrikave dhe sipermarrësit. E vetmja punë për të cilën Rama është në merak është se si të jetë ai vetë I punësuar në Partinë Socialiste.

Rama e deklaroi të paimagjinueshme kur tha se rrugët nuk krijojnë vende pune të reja. A mendon Rama se ne nuk duhet të vazhdojmë të ndërtojmë rrugë të reja? A mendon Rama se infrastruktura nuk hap vende te reja pune? A do tu a thotë këtë publikisht 45 mijë shqiptrëve që u punësun në këto projekte? Apo do të fshihet pas blogjeve dhe ideve të tij në dhomën e tij të ndenjes ngjyrë manushaqe?

Është e qartë se Rama nuk ka as idenë më të vogël se si krijohen këto vende pune dhe klima e favorshme për të bërë biznes. Në fakt prej tij nuk pritet më shumë. Nëse do ta dinte si krijohen vendet e punës nuk do të nxirrte të ashtuquajturin plan për rritje taksash, plan që krijon papunësi dhe e ka kthyer Ramën në macen e zezë të biznesit shqiptar.

Partia Demokratike do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë për ta bërë jetën e çdo qytetari edhe më të mirë.”