TIRANE, 31 maj 2013– Sopranoja Teuta Koço rikthehet pas tre vitesh në Tiranë. E shoqëruar nga i ati, dirigjenti i mirënjohur Eno Koço, do të sjellin sonte për publikun premierë absolute simfoninë e katërt të kompozitorit austriak Gustav Mahler, por këtij koncerti nuk do ti mungojnë dhe vepra të autorëve të tjerë botërorë. Për dirigjentin e njohur Eno Koço, koncerti që do të zhvillohet sonte në sallën e madhe të Universitetit të Arteve ka të veçantat e tij, jo vetëm mesazhin që përmbajnë veprat muzikore, por dhe sepse do të interpretohen vepra muzikore që nuk kanë qenë interpretuar më parë. Emri i sopranos së famshme shqiptare, e cila prej vitesh jeton në Londër është pjesë e axhendave koncertore në skenat më prestigjioze botërore, dhe duke folur për këtë koncert dirigjenti Eno Koço flet dhe për marrëdhëniet mes tij dhe së bijës artiste. Bashkë me dy artistët e njohur, në koncertin e mbrëmjes së sotme do të interpretojë edhe Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, ku ndër të tjera pritet të performohen pjesë edhe nga kompozitorët Johann apo Ricard Shtraus.

Ky sezon artistik ju sjell në Tiranë për një koncert ku do të jeni në skenë bashkë me vajzën tuaj Teuta, një soprano e njohur e cila pas tre vitesh rikthehet në skenën shqiptare. Kjo nuk është hera e parë që ju jeni bashkë në një koncert, si ka vijuar ky bashkëpunim ndër vite?

Unë kam bërë disa herë koncerte me Teutën, madje ato kanë filluar që në vitin 2000. Kemi zhvilluar një seri koncertesh ndër vite, sigurisht me krijimtari të ndryshme, si me këngë popullore, arie, një koncerte tjetër ka qenë dhe me një bariton gjerman, një tjetër ka qenë për vepra të tjera vokale. Së bashku nuk mund të them se zhvillojmë koncerte një herë në vit, por në dy apo tre vjet, dhe sigurisht në shtete të ndryshme dhe me pjesë të ndryshme vokale, këngë shqiptare, opera e Stravinskit, etj.

Koncertet që ju keni zhvilluar larg Shqipërisë në skena të ndryshme të botës janë mirëpritur jo pak, ndërsa vlerësimet nuk kanë munguar dhe në koncertet që keni qenë së bashku me vajzën tuaj, tashmë soprano e njohur. Si janë të ndërtuara marrëdhëniet artistike mes jush?

Marrëdhëniet artistike janë si me çdo artist tjetër. Kur hyn në lëmin artistik, soprano-dirigjent, duhet të kesh atë marrëdhënie që është me çdo soprano. Në përgatitjet e koncerteve, do të thuash ku mendon se duhet të jetë pak më ndryshe në interpretim, por dhe sopranoja duhet të tregojë çfarë kërkon në muzikë. Kur hyn në botën e muzikës marrëdhëniet janë të tilla që ndërtohen vetëm mbi bazën muzikore, duhet të harrohen që je at dhe bijë dhe kjo është normale.

Sot Teuta ka një aktivitet të pasur artistik si soprano, ju çfarë vlerësoni më shumë tek ajo?

Jam mësuar tashmë me Teutën, u bënë shumë vite që e dëgjoj kur interpreton. Teuta si soprano këndon qartë, ka diksion të qartë. E merr vesh se çfarë thotë në interpretimin e saj, përveç fjalëve merr vesh dhe mesazhin muzikor gjatë interpretimit. Mesazhi është i qartë, nuk është me mëdyshje. Tingullin mundohet ta paraqesë qartë, ka një timbrikë të sajën, një veçori të sajën, dallohet menjëherë zëri i saj. Nëpërmjet zërit dhe timbrikës, edhe repertorin që këndon ajo ia përshtat kësaj. Teuta zgjedh atë repertor që i përshtatet zërit të saj.

Koncerti për publikun në sallën e madhe të Universitetit të Arteve ka një repertor të pasur, nuk mungojnë dhe vepra premierë. Pse është përzgjedhur dhe simfonia e katërt e kompozitorit austriak Gustav Mahler?

Në këtë koncert, kryesore është simfonia e katërt e kompozitorit austriak Gustav Mahler, i cili këtë simfoni e ka me soprano dhe vjen premierë për publikun, pasi nuk ka qenë e lejuar të luhej si vepër muzikore, por si kjo ka pasur dhe shumë vepra të tjera. E gjithë kjo simfoni ka një mesazh shumë të qartë, dhe përshkruhet shpesh si një nga veprat më të thjeshta e të drejtpërdrejta, por njëkohësisht edhe nga më shumëplanëshet, më kontradiktoret, më enigmatiket e më paradoksalet. Asgjë në këtë vepër nuk është ashtu siç duket. Simfonia mbart si naivitetin ashtu dhe rrezikun, rininë e vdekshmërinë, qetësinë dhe kërcënimin. Kjo simfoni që është bërë me soprano, krijon atë ndjesinë e një fëmije të vogël që ngjitet në parajsë, i gërshetuar ky vizion me skena më të errëta dhe vrazhdësi të jetës tokësore. Fëmija në personifikimin e zërit të sopranos, përshkruan festën që po përgatitet në parajsë për të gjithë Shenjtorët. Koha e katërt “Jeta qiellore” nuk është vetëm finalja e kësaj simfonie, por e të gjithë pjesës së parë të jetës krijuese të Mahlerit.

Herë pas here ju vini në Tiranë për koncerte të ndryshme. Çfarë mund të na thoni për veprat që i takojnë autorëve shqiptarë, si është zhvilluar kjo krijimtari ajo gjatë këtyre viteve?

Në botë ka autorë të njohur, kështu Italia e famshme njihet për muzikën klasike, Verdi, Puçini, Donizetti, etj., zgjati sa zgjati kjo periudhë, dhe kur erdhi një tjetër periudhë ajo e shekullit të 20 nuk pati më atë jehonë të madhe që pati ato vite, dhe muzika simfonike nuk pati një zhvillim të madh. Edhe në Shqipëri, veprat kombëtare patën një periudhë që u zhvilluan shumë, u stimuluan shumë, u incizuan shumë, u luajtën shumë, por kjo ka ndodhur në atë kohë kur i mëshohej shumë frymës kombëtare. Pjesa më e madhe e veprave që janë sot atë kohë janë shkruar, por në periudhën më vonë u shkruan sërish vepra muzikore kombëtare, mbase më të vogla, kryesisht muzikë dhome, muzikë instrumentale, muzikë vokale, jo muzikë masive me orkestër sepse kjo ka qenë shumë më pak, por jo se ka munguar. Kjo gjë ndodh dhe në botë. Tani kemi treg, dhe veprën muzikore duhet ta porositësh. Ato vite nuk porositej, por paguheshin me “Dekadat e majit”, ndërsa sot gjërat kanë ndryshuar. Kjo gjë kërkon dhe një lloj organizimi, pse është kjo vepër e re, çfarë paraqet dhe nëse është vërtetë me vlerë ia vlen që të ekzekutohet. Ndërsa atë kohë kishte dhe vepra të mira muzikore, por dhe të dobëta.

Kush duhet ta bëjë këtë organizim?

Kjo është e përgjithshme. Sepse mungesa e veprave muzikore të huaja, bëri që ne të merremi shumë me atë që na kishte munguar, dhe dihet që veprat e tilla të mëdha e mbajnë dhe orkestrën. Bethoven, Mozart, etj., mbajnë balancën, stilin. Për mua në muzikë duhet kombinimi, çdo gjë nuk duhet në ekstrem. Jo vetëm vepra të huaja apo vetëm kombëtare, por një kombinim mes tyre.
 
Kompozitorë të njohur kanë pohuar që sot ata nuk kanë asnjë ndihmë, asnjë stimulim për të shkruar vepra muzikore, nuk ka konkurse muzikore, etj?

Probleme ka, por ka filluar një stabilizim. Pas atij sistemi që ishte, ku çdo gjë ishte e mbyllur, njerëzit duan të luajnë në muzikë çdo gjë që ka qenë e ndaluar ato vite. Siç është dhe vepra e Gustav Mahler, që as si koncept nuk mund të luhej ato vite dhe tani vjen premierë për publikun. Nuk luhej ato vite asnjë vepër e Stravinskit, Shastakovic, etj.

Keni filluar punë me orkestrën Simfonike të RTSH që në vitin 1976, si ka ndryshuar kjo orkestër ndër vite, si e gjeni sot?

Nga ai vit punova rregullisht me Orkestrën Simfonike të RTSH deri në 1991, pastaj pata një shkëputje për disa vite, dhe nga 1997 kam ardhur rregullisht me koncertet e Orkestrës Simfonike të RTSH. Orkestra ka përparuar, ka ecur përpara, ka shumë të huaj që vijnë dhe sjellin eksperiencën e tyre.

Pas këtij koncerti, si do të vijojë aktiviteti juaj artistik?

Mund t’ju them se do të vijoj nga të dy krahët me aktivitete muzikore. 

/Intervistoi: Julia Vrapi, SOT NEWS/