Tiranë, 17 qershor 2014 – Ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha, paska qenë një tifoz i Brazilit në kampionatin Botëror të vitit 1970 të luajtur në Meksikë dhe të fituar 4-1 kundër Italisë në finalen e stadiumit “Azteca”.
Në një letër të drejtuar Zhoao Amazonës, Hoxha i paska uruar fitoren Brazilit në këtë kampionat. Letra në të vërtetë ndodhet në arkivën e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Zhoao Amazona ka qenë kryetar i Partisë Komuniste të Brazilit, i mbështetur edhe nga ish-diktatori. Një prej anëtarëve të saj më vonë, që u bë edhe President i Brazilit, Luis Injacio da Silva Lula, ka qenë në Shqipëri në Shkollën e Partisë.
Sipas Hoxhës, kjo fitore është e të gjithë proletariatit botëror kundër imperializmit dhe revizionizmit. “Populli shqiptar ka qenë me mish e me shpirt këto ditë pranë popullit brazilian dhe kombëtares së tij të futbollit”, – shkruhet ndër të tjera në letër.
Ka qenë vërtet me Brazilin tifoz, apo e ka shkruar për politikë?
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





