·        Si e priti lideri komunist, rreth katër dekada më parë, lindjen e djalit të djalit. Një detaj i panjohur për qëndrimin e ish-sekretarit të parë të PPSH-së  pas vdekjes së nënës së vet. “Gallata” me shokun e Ilirit në UMB Durrës. Shakaja me mikun që nuk bëri dot djalë dhe “pamundësia” për ruajtjen e tortave në frigoriferin e bllokmenit. Një bejte e shefit të regjimit për lindjen e atij që u cilësua narkotrafikant, të cilit iu vunë prangat në vigjilje  të 40-vjetorit të lindjes.    

Nga Ilir Hoxha

DURRËS, 15 janar 2015 –  Një nga arrestimet më të bujshme është ai i nipit të diktatorit komunist Enver Hoxha, Ermalit. Lexuesit në internet ka dhënë komente të ndryshme për këtë ngjarje. Por janë interesuar dhe për personalitetin e Ermal Hoxhës, që e morën në mbrojtje të dy prindërit e tij, Ilir dhe Teutë Hoxha.

Nisur nga fakti që ndalimi i nipit të diktatorit është bërë në Durrës, në qytetin që e do aq shumë dhe djali i tij, Iliri, i cili ka qenë inxhinier në ish-UMB, “Dyrrah”-u po riboton një fragment nga libri i rrallë memorialistik-publicistik i babait të Ermalit, Ilirit, me titull “Babai im Enver Hoxha”, ku flitet për lindjen e të arrestuarit dhe interesimin e udhëheqësit komunist për të. Fragmenti i shkëputur nga libri, mban titullin “Një dhuratë e veçantë për ditëlindje”.

Dokumenti

Së bashku me Teutën menduam që për ditëlindjen e tij [të Enver Hoxhës], në vend të dhuratës, t'i jepnim një lajm shumë të gëzuar dhe po kaq të veçantë, që do t’i binte në dorë nëntë muaj më pas.

“TEPËR URGJENT”

Po le të mos e zgjasim e të tregojmë për këtë dhuratë kaq misterioze dhe të gëzueshme.

Mora një zarf dhe, pasi shkrova emrin e tij, shënova dhe një “tepër urgjent” dhe poshtë saj vura tri vija të kuqe, siç i vinte ndonjëherë ndonjë material i rëndësishëm nga zyra. I futa brenda letrën e mëposhtme dhe ia dhashë oficerit, me qëllim që. Të nesërmen në mëngjes, kur të zgjohej, t'i dorëzohej së bashku me gazetat, të cilat ai i lexonte çdo ditë përpara se të shkonte në zyrë. la çuan letrën që në mëngjes, e hapi dhe u befasua nga ky lajm i gëzueshëm që i vinte në ditën e ditëlindjes. Ja se ç’shkruhej:

I dashur baba.

Unë dhe Teuta të urojmë ditëlindjen. u bëfsh dhe 100 vjeç.

Kur ishim të vegjël, në ditëlindjen tënde bënim ndonjë vizatim ose merrnim angazhime që të dilnim mirë me mësime. Tani këtyre gjërave u ka ikur koha dhe ne të kemi bërë një dhuratë që besoj se do të të pëlqejë. vetëm se na vjen keq që do ta marrësh pas nëntë muajsh.

“Rroftë gjyshi se na jep lodra” (ishin fjalët e vendosura në gojën e një bebeje që kisha vizatuar).

Të puth, Lilo [shkurtimi për “Ilir”].

16 tetor 1974

“DUA DJALË”

U gëzua shumë. Kur u takuam, na përqafoi gjithë qejf për sihariqin që i dhamë. Por, siç e thashë, peshqeshi do të vinte pas disa muajsh dhe koha herë dukej sikur ecte shpejt e herë avash.

Kur dita e mezipritur po afrohej, unë e pyesja babanë:

“Çfarë do të bëjë Teuta?”

Ai më përgjigjej:

“Nuk mund ta përcaktoj unë se ç’është, djalë a vajzë. Ti mund të thuash se ç’dua unë. Unë dua qoftë djalë, – dhe pasi u mendua pak shtoi – qoftë çupë, – dhe qeshi. – Që të dy i mirëpres me padurim. po preferoj më mirë djalë, meqenëse të kam ty djalë më të madh, tjetri më bëri një çupë të mirë e të bukur dhe unë kërkoj që ti, domethënë Teuta. – dhe qesh, – se ti s’bën gjë, Teuta të bëjë një djalë që të bëhet trim, të bëhet dhe i vendosur për atdheun, të jetë i zgjuar e të mësojë mirë”.

Ditën e “peshqeshit” gëzimi ishte i madh për gjithë familjen. Edhe kësaj radhe e para e mori vesh mamaja, megjithëse çdo gjë ishte organizuar që kësaj herë lajmin ta merrte vesh i pari babai. Por s’qe e thënë. E kishim organizuar që lajmi të vinte me zarf dhe ashtu u bë, por në, atë moment ai i kishte duart e zëna se po pinte kafenë dhe i tha mamasë që t’ia hapte ajo zarfin. Ajo e hapi dhe kur nxori letrën me lajmin e lindjes së djalit, lëshoi një klithmë gëzimi. Kështu dhe këtë herë ajo e kishte marrë e para vesh lajmin.

“I FUNDIT QË E MORA VESH”

Të nesërmen babai i çoi këtë letër Teutës në maternitet:

“Shumë e dashura Teuta.

E merr me mend sa i papërshkruar ishte gëzimi im dhe i gjithë familjes, tani kur morëm lajmin gazmor që ti u çlirove dhe linde çunin e dashur që kishim paravendosur dhe na e linde të shëndetshëm e të bukur. Ma gëzove zemrën pa masë, vajza ime e dashur. Të na rrojë Ermali: siç ia kishim zgjedhur dhe vendosur emrin së toku, sa malet, të rrosh ti, Iliri, dhe ta rrisni të lumtur dhe të gëzuar, se dhe ai do na e bëjë dhe ne pleqve, gjyshes dhe gjyshit, jetën të lumtur edhe të gëzuar. Pres me padurim e me mall që ti dhe Ermali të më ktheheni sa më parë në shtëpi, do t’i shtyj me zor këto dite, por mendjen e kam tek ju, të dashurit e mi, që ju puth e ju puth me mall.

Zërin e Ermalit e dëgjova të incizuar në magnetofon. Me të vërtetë ishte zë i fortë, si i partizanëve në male, si era që fryn e vrullshme nga malet dhe i hodhi në det armiqtë e atdheut. I tillë, dragua, duket se do të na bëhet vëllaçkua i Valbonës: Lumi dhe Mali. kur të rriten ca, do ta bëjnë të gëzuar, do të buçasë nga zërat dhe lodrat e tyre. dhe unë do të bëhem i ri, do të gëzoj tok me ta.

Teuta e dashur, si kur lindi Valbona, ashtu dhe kur lindi Ermali, isha i fundit që e mësova lajmin. Doja për Ermalin t’ia merrja unë asaj, Nexhmijes, sihariqin, dhe ky rast më erdhi, por më shpëtoi nga dora. Kur të vish në shtëpi do të ta them me hollësi si më ndodhi.

Kur e morëm vesh, ishim në sallën e bukës, dhe jo në krevat, si natën që lindi Valbona. Të ishe nga ndonjë anë e të na shihje: ishim çuar të gjithë në këmbë dhe të gëzuar në kulm bërtisnim: të na rrojë Teuta, Iliri. ErmaIi, e putheshim e përqafoheshim! Suloja [Gradeci] na merrte ne në film, doktor Isufi [Kalo] kishte hapur magnetofonin dhe Ermali gërthiste.

Morëm Reshatin dhe Belin në telefon, i uruam, dëgjuan dhe zërin e çunit, ishin në kulm të gëzuar.

Ilirin ç’e mbante nga gëzimi, që u çlirove ti dhe që i linde djalë. Ai na mburrej. edhe sikur na thoshte: “Di unë ç’bëj, çdo gjë e kam me plan”.

E dashura Teutë, të puth e të përqafoj me mall. Mos u mërzit, se pak ditë do të rrish në maternitet. Të presim ne padurim në gjirin e familjes tënde që të do shumë, të presim me padurim: gjyshi dhe gjyshja që ju duan shumë ty dhe Ermalin.

Babai tënd. Enver

9 qershor 1975”.

NJË BEJTE E GJYSHIT

Ndërsa mamasë i drejtohej me një si vjershë të improvizuar nga gëzimi i momentit dhe me kujtimet e tij të largëta. Ja ç’i shkruante:

“Nexhmijes, ta lexojë duke pirë çajin. kur të çohet. Dërgon Enveri, gjyshi i Valbonës dhe i Ermalit.

Letrën tënde unë e mora, / Me një etje e këndova, / Çka më shkruaje e mësova. / Me sy hapët ëndërroja! / Te Teuta edhe te djali. / Se aq shumë më mori malli! / Desh Ermali që të vinte, / Të vinte të më pushtonte, / Sa shumë do më gëzonte! /  Lum si ne, Nexhmija ime, / Jeta mbushet me gëzime! / Këndon Valbona kristali, / Mrekulli ia kthen Ermali. / “Gjyshe, gjysh, shumë ju duam, / Pse në lumenj e në male, / Ku atje juve luftuat, / U njohtë dhe u dashuruat. / Ne atje kemi burimë, / Mëmëdhe kemi Shqipërinë”.

Enver.

Shkruar më datën 9 qershor 1975, pasi lexova letrën e Nexhimjes që më shkroi mbrëmë pas mesnatës, kur u kthye nga materniteti, ku vajti e pa Teutën dhe Ermalin e dashur.

Enver”.

ZIA PËR NËNËN ZGJATI… 3 DITË

Në pritje me padurim për ditën kur do t’i vinte djali në shtëpi ai tha “se mos nuk me lajmëroni kur të vijë dhe me lini në zyrë”.

Sanoja i tha duke qeshur:

“U, mos shko në zyre atë ditë, merru leje shokëve”.

Qeshëm të gjithë dhe ai na e tregoi pse Sanoja e tha këtë frazë kështu.

Kur i vdiq nëna, babai priti tri ditë dhe të katërtën shkoi në zyrë. Pikërisht këtë ditë erdhi një plakë gjirokastrite për ngushëllim. Pasi bëri ngushëllimet e rastit dhe i erdhi dhe kafeja, pyeti:

“Po Enveri, ku është?”

“Iku në zyrë”, i tha Sanoja.

“U, ç’është kështu, t’u marrë leje shokëve të zyrës, të bëjë zakonet e popullit, jo pret vetëm tri ditë e pastaj ikën në punë”.

Kur u kthye babai nga zyra, Sanoja ia tregoi dhe, megjithëse kishte brengë në shpirt për humbjen e nënës, qeshi.

KUR ERDHI DJALI NË SHTËPI

Dita e mirëpritur erdhi. Unë vajta në mëngjes dhe e pyeta babain ç’ndiente dhc ai m’u përgjigj:

“Sot është 14 qershor. Natyra qesh, shiko se ç’blerim është, mirëpo qesh dhe zemra c gjyshit se më hyn në shtëpi për herë të parë i vogli im i dashur, Ermali, djali i Ilirit dhe i Teutës. E pres me padurim, o Lilo. U çova në mëngjes, i hodha një vështrim fotografisë të tij që kam te koka e krevatit dhe i thashë: Buçko, sot do të më vish dhe do të të marr në duar dhe do të të çoj në krevatin tënd, që ka qenë krevati ku ka fjetur dhe babai tënd kur ka qene i vogël si ti. Dëshira ime është të arrij të rroj, të shoh në po të njëjtin krevat, dhe djalin tënd, o Ermal. Kjo nuk është e pamundur, se gjyshi është kockë e fortë. Po shko, shiko se ç’bën gjyshja”.

Shkova tek mamaja dhe e gjeta që kishte hedhur një shall krahëve dhe po lexonte: “Ja, – më tha, – kam hedhur gjithë këtë shall se kam ftohtë, kam emocione që do vemi të marrim të voglin në maternitet dhe ta sjellim në shtëpi. Po lexoj një libër për kujdesin që duhet të tregohet për të sapolindurit”.

Kur djali, i shoqëruar nga “suita”, hyri në shtëpi, babai tha:

“Hajde Teuta e më të lumtë, – dhe e puthi e e përqafoi. – Mirë se erdhe, o çuni i gjyshit, mirë se erdhe. Nëma këtu, nëma këtu tash në duar. U sa i bukur, sa i bukur djali! Ikni andej, mos ma trazoni çunin, – thoshte kur të gjithë ne i ishim grumbulluar te koka. – Hajde, ti Valbona, shikoje vllaçkon e vogël”.

Pasi bëmë fotografi, regjistruam filma, incizuam në magnetofon, me djalin në duar, shkuam te dhoma, ku do ta vinim në krevat.

“Dale-dale, se do ta vejë gjyshi në krevatin e tij. Hë, të na rritesh. Ky është i bukur, mo! Ju ndaloj ta puthni, veçse Teutës i lejohet. Shiko, unë them se i ngjan Teutës nga fytyra, ndërsa kokën e ka të bukur si të Lilos. Qesh pak, o trimi i gjyshit ti! Prit t’i flas njëherë dibrançe (''Jo, jo", thotë mamaja, qe është nga Dibra). E po mirë do t’ i flas gjirokastritçe: Si i ke sitë, jeshile apo si thëngjill. Ja, shiko si i merr erë gjyshi në faqe prandaj ia vuri Ermal. Të mori gjyshi në fotografi, film, kur të rritesh do t’i shohësh”.

 Nga muhabetet djali fillon të zgjohet dhe ai i thotë:

“Qaj një çikë të të dëgjojë gjyshi, shih si i dridhet buza” – dhe pastaj të gjithë largohen për ta lënë të qetë në gjumin e ti, në ambientet e tij.

SHOKËT NË DURRËS

Me gëzimin tim u bashkuan dhe shokët e mi, që më uronin. Ndërmjet shumë ngjarjeve më kujtohet një prej tyre, me Muharremin që punonte në fonderinë e uzinës mekanike bujqësore në Durrës, ku në atë kohë unë kisha filluar punën si inxhinier. Ditën e shtunë, kur do të ikja për në Tiranë, me tha:

“Ditën e hënë, kur të kthehesh, shkruaj dhe më sill raportin e organizatës për të më ndihmuar”.

Nuk ia prishja asnjëherë, jo vetëm atij, por dhe të tjerëve, por atë ditë i thashë:

“Patjetër, vetëm me një kusht, po bëra djalë nuk ta bëj dot”.

“E pranoj kushtin”, – më tha.

Ditën e hënë, kur shkova dhe u takuam në uzinë, ai më pyeti:

“Hë e bëre çunin?!”, i sigurt që do t’i përgjigjesha:

“Jo, të kam sjelle raportin!”

 Por u çudit kur i thashë:

“E bëra dje”, sikur të ishte një gjë e zakontë, që komandohej. Më uroi dhe e qerasa së bashku dhe me shokë të tjerë.

TORTAT NË FRIGORIFERIN E KOMSHIUT

Po kështu më kujtohet dhe një ngjarje me shokun tim Nikun, që disa ditë më parë kishte lindur vajzë, por që me çdo kusht donte djalë. Zhgënjimi i tij ishte i madh. Shokët e ngacmonin, se vetë ishte mburrur: “o bëj djalë, o s’ka”. Doktor Isufi kish kaluar nga shtëpia e tij dhe kishte filluar ta ngacmonte:

“Shumë qetësi këtej nga ju. E kanë marrë vesh që ke lindur vajzë. Lajmëroi të të sjellin torta”.

Atij i vinte inat dhe ne të gjithë qeshnim. Ishte radha ime. Zoti donte që unë të bëja djalë pak ditë pas tij dhe tortat nuk kishin të numëruar. E mora në telefon Nikun dhe i thashë:

“Do të lutem për një gjë!”.

“Çfarë?” – tha ai, i gatshëm për të më ndihmuar.

“A do të kesh vend në frigoriferin tënd të të sjell ca torta që të m’i ruash se mos më prishen, se imi është plot dhe nuk ka vend dhe kur të më duhen vij e i marr, se të kam komshi!”.

Ai qeshi, po nuk kishte se ç’të thoshte, duhej t’i duronte thumbat dhe shakatë. Por të gjitha janë kalimtare. Ai tani krenohet për Anjën e tij të mirë e të bukur, bëri dhe djalë, ndërsa unë u mundova të bëj vajzë, por s’ia arrita dot qëllimit. Megjithatë, tani them shyqyr që s’bëra vajzë dhe krenohem me tre çunat e mi, njëri më i mirë se tjetri.

Pushimet e verës erdhën, babai si zakonisht shkoi në Pogradec, ne në plazhin e Durrësit…

Shënim: Titulli, nëntitujt, sqarimet në kllapa katrore dhe qortimet gjuhësore janë të “Dyrrah”-ut.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/