Sa më gëzove Ermir Dizdari!

“Enver Mara” i ribotuar, vlerë artistike dhe historike

NGA BUJAR QESJA

– Bujar aty je? Mos lëviz se erdha!

Kështu komunikoi nëpërmjet telefonit, emri i shquar i muzikës dhe dirigjimit, artisti i shumë titujve Ermir Dizdari.

Brenda vetes po mendoja, se çfarë do të ketë Ermiri. Veç kur ja sos, miku i hershëm i imi. Ecja e tij e lehtë dhe e shpejtë, ku mbi hapat qendronte i drejtë fiziku i tij i brishtë, por shumë i fortë ma çfaqi të plotë portretin e njohur të Dizdarit.

Sapo shkeli mbi truallin tim, më vendosi mbi tavolinë librin: “Enver Mara – Jeta dhe veprimtaria” – Ribotim.

– Surprizë më të bukur, nuk ka ku të shkojë. Ke bërë punë të jashtëzakonshme Ermir Dizdari. Ky nuk është libër, por kryevepër. Jo vetëm e ngjalle Enver Marën, por i dhe Durrësit, vlerë të shtuar të historisë së artit dhe muzikës.

Lot më dolën nga sytë. Ditë e veçantë kjo e 7 nëntorit 2024. Trompisti, dirigjenti, kompozitori, muzikologu, qytetari i nderuar Enver Mara vjen i plotë, i pa ” gjymtuar”, duke u çfaqur portreti i tij i njohur dhe i analizuar në të gjitha planet e angazhimeve të dëndura në kulturën durrsake.

Shumë më i plotë nga botimi i mëparshëm. Janë shtuar faqe të tëra, janë shtuar dokumenta, janë shtuar foto, janë shtuar botimet e kohës, është bërë histori ekzakte, është bërë art, është bërë libër i vërtetë që duhet ta mbash afër dhe ta shtrëngosh në gjoks.

Enver Mara u lind në Durrës më 1 janar 1921 dhe mbylli sytë me 24 nëntor 1975. Gjithsej frymoi 54 vite. Sa humbje e madhe për artin dhe kulturën durrsake.

15 vjeç anëtar i bandës muzikore të Durrësit. Realizoi 125 krijime të natyrave të ndryshme: këngë për fëmijë, këngë masash, këngë të muzikës së lehtë, këngë me natyrë popullore, operetë për fëmijë, opereta e njohur ” Dallgët e kuqe” etj.

Enver Mara me këngën ” Të falem o i bukuri Durrës” fitoi përjetësinë.

Janë 227 faqe ku Ermir Dizdari, kullon artin dhe kulturën e tij, për ti dhënë artit dhe kulturës durrsake mrekullinë e një botimi që do të jetojë aq sa dhe emri i Enver Marës.

Besoj se jam i pari, që vrapoj për të folur për këtë Enver Marë të Ermirit tonë, të këtij margaritari të muzikës, këtij 82 vjeçari, i cili punon e punon pa u ndalur.

Të faleminderit për këtë nder që na bëre, Dizdari ynë, era e mirë e muzikës dhe e qytetarisë!

Bujar Qesja

Durrës: 7 nëntor 2024

Foto1: Kopertina e librit

Foto 2: Enver Mara, duke luajtur me trompë mbi pianon e Rexhep Zemblakut, në irkestrën e famshme të ” Vollgës” durrsake

Foto 3: Enver Mara në trompë dhe i biri Ilir Mara në saks, në mrekullinë e interpretimit

Foto 4: Orkestra e ” Vollgës”. Nga e djathta: Enver Mara, Ismail Beshiri dhe Petraq Dhamo

Foto 5: Autori i librit, muzikologu dhe dirigjenti i njohur Ermir Dizdari