DURRËS, 2 nëntor 2014 – Edhe i vdekur, diktatori shqiptar Enver Hoxha frymëzon iberikë për triumfin e ideologjisë ekstremiste të majtë.

Shtypi iberik njofton se 2-3 vitet e fundit në Spanjë janë krijuar shumë parti të reja, mes të cilave bie në sy një parti që quhet  Rindërtimi Komunist (Reconstrucción Comunista), e themeluar në Madrid, e cila prezantohet me flamurin e rikuperimit të ideologjisë komuniste.

Anëtarët e saj propozuan shkëputje nga partia komuniste snajolle, të cilën e konsiderojnë “të kalbur, që qelbet dhe revizioniste” dhe apelojnë për rikthim në “historinë revolucionare” që nga “komuna e Parisit, revolucioni rus, revolucioni kinez të vitit 1951, revolucioni kundër revizionizmit që filloi në Shqipëri, fronti popullor dhe lufta nacional-revolucionare në Spanjë, luftërat anti-koloniale, lufta heroike dhe shembullore kundër fashizmit dhe rritja e kampit socialist”.

Për  Rindërtimin Komunist “nuk ekziston asnjë parti marksiste-leniniste në shtetin spanjoll”.

Rindërtimi komunistlindi fillimisht në Madrid disa vjet më parë nga një grup i ri marksist-leninist “i pakënaqur me formacionet aktuale të vetë-vetëquajtura komuniste, të cilat demonstruan në teori dhe praktikë, se janë revizioniste”. Rindërtimi Komunist ka arritur pak nga pak të bëhet një organizatë me shtrirje në të gjithë Spanjën, dhe ka seksione të tjera në pjesët e tjera të vendit, si territori bask, Valencia, Ishujt Baleare, etj

Kjo parti vlerëson “kontributet shumë të mëdha të revolucionarëve, të cilët pasuruan shkencën e marksizëm-leninizmit, si për shembull: Josif Visarionoviç Stalin, Enver Hoxha, Gjergj Dimitrov, Hose Diaz, Çe Guevara, Ho Shi Min, etj”.

Është interesante se ndaj Enver Hoxhës  Rindërtimi Komunist ka adhurim të veçantë, duke e shtuar madje në stemën e partisë pas 4 klasikëve.

Kjo parti shpërndan dhe propagandon “Vepra” të diktatorit shqiptar, organizon veprimtari përkujtimore në ditëlindjet e tij.

Është anëtare e shoqatës  Koordinimi ndërkombëtar i partive dhe organizatave revolucionare (ICOR – The International Coordination of Revolutionary Parties and Organizations), një shoqatë me 47 parti dhe organizata komuniste “autonome, të pavarur dhe të mbështetura në forcat e veta” nga 4 kontinente.

Fatmirësisht, asnjë nga grupimet komuniste shqiptare nuk është anëtare e ICOR-it (por nuk dihet nëse kanë aplikuar apo nuk i kanë qasur te dera, sidomos hyrjes së partisë së shokëve Hysni Milloshi-Marko Dajti në aleancë me PD-në dhe të djathtën në zgjedhjet bashkiake të Tiranës, ku nxorën fitues zotin Lulzim Basha me 1 800 votat që dhanë “trashëgimtarët e Enverit”).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/