Përgatitja e videoklipit të parë duket se është impenjimi kryesor për këngëtaren e re Enxhi Vlashi. Pas mëse tetë viteve eksperiencë në aktivitete me muzikë live vajza e re kërkon të realizojë një dëshirë të kahershme të saj, të bëhet e njohur në shkallë kombëtare
Të kënduarit live është një nga provat më të vështira për cilindo këngëtar. Në morinë e këngëtareve që fabrikohen çdo ditë nga shtëpitë diskografike shqiptare, të pakta janë ata që mund ta meritojnë vërtet një emër të tillë. Enxhi Vlashi, një 20 vjeçare nga Durrësi, është një nga shumë vajza të reja me plot pasion dhe dëshirë për muzikën. Që e vogël, në gëzime të ndryshme familjare, Enxhi niste të këndonte duke dhënë kështu sinjalet e para se në të ardhmen do t’i dedikohej këtij pasioni. Afërsia e shtëpisë së saj me shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” duket se e paracaktoi disi të ardhmen e vajzës së vogël. Që gjashtë vjeçe, pjesë e pandarë e saj u bë violina, vegla që nisi të studionte në shkollë.
Krahas impenjimit me veglën muzikore ajo nuk la pas dore edhe të kënduarit duke u aktivizuar gjithnjë me aktivitetet shkollore. Në përfundim të ciklit 8 vjeçar, nëse do të donte të vazhdonte të kënduarit duhet të zgjidhte profilin e kantos. Por dedikimi ndaj muzikës klasike nuk iu duk zgjidhja më e mirë vajzës së re, e cila shihte si prirjen e saj natyrale muzikën e lehtë dhe atë popullore. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, ajo mori pjesë në të gjitha maratonat rinore të qytetit duke korrur gjithnjë duartrokitjet e publikut. Në konkursin “Zërat e rinj”, në duet me Denis Hasën ajo e nderua me çmim të parë. Të gjithë specialistët e muzikës vlerësonin potencën e zërit të saj, natyrshmërinë në skenë dhe interpretimin dinjitoz prandaj dhe vajza e re vazhdoi e bindur në rrugën e saj.
Pjesëmarrjet në festivale
Trampolinat e para të Enxhit për t’u hedhur në botën muzikore ishin pjesëmarrjet në festivale të njohura të muzikës së lehtë në Shqipëri si Top Fest apo Kënga Magjike. Në edicionin e katërt të Top Fest adoleshentja u prezantua me këngën “Limonata” të Kastro Zizos në duet me Don Enio. Bashkëpunimi me Kastro Zizon duket se i ngjiti durrsakes, sepse edhe në edicionin pasardhës të Top Fest ajo e zgjodhi sërish atë si kompozitor të këngës. Në Top Fest 5 Enxhi u paraqit me një baladë, “Fjongo e zezë”, këngë që nxirrte në pah vokalin e këngëtares së re. Pjesëmarrja e Enxhit në festivale nuk do të ndalej këtu. Në edicionin e tetë të Këngës Magjike ajo do të prezantohej së bashku me grupin e djemve nga Durrësi “Street dogs”. Këtë herë ajo do të vinte me këngë të rrymës hip-hop, sepse siç shprehet dhe vetë i pëlqen të eksperimentojë me rryma të ndryshme muzikore.
Në pritje të videoklipit të parë
Pas viteve të tëra angazhimi në muzikë, Enxhi mendon se është koha e përshtatshme për të ardhur me një videoklip të muzikës së lehtë. Interpretimet e suksesshme para publikut durrsak qoftë në aktivitete shkollore apo në ansamblin e qytetit ku ka performuar krahas këngëtarëve të njohur si Qemal Kërtusha apo bashkëpunimet me kompozitorin Ylli Ramzoti, ishin një shkollë e madhe për këngëtaren e vogël, që u rrit në skenë. Enxhi po përgatitet tashmë të realizojë videoklipin e këngës “Xhan xhan”, një kompozim i Flori Mumajesit, me tekst të Rozana Radit. Ndërkohë në muajt në vazhdim në planet e vajzës së re është dhe një bashkëpunim me Edi Balilin, ku 20-vjeçarja durrsake do të vijë me një këngë të muzikës popullore. Tabanit popullor Enxhi nuk i është ndarë kurrë, pasi edhe në diasporë, ku aktualisht po performon, muzika popullore shqiptare mbetet më e preferuara për emigrantët shqiptarë e kosovarë që jetojnë e punojnë në Zvicër.