Nga Besmir Pula

Ditët e fundit krimi është bërë i kudogjendshëm duke mbërthyer shtetin e gjithçka tjetër. Panorama që na serviret nuk është gjë tjetër veçse një kaplim nga vrasjet e pafundme. Mjafton t’i hidhet një sy shtypit të ditës për të vërtetuar “bashkëjetesën” në një harmoni totale me krimin. Se sa të vetëdijshëm janë institucionet përkatëse me në krye eprorët e tyre, kjo mbetet ende e pashpjegueshme.

Rasti më i freskët që dëshmon gjendjen e rënduar në të cilën jemi zhytur dhe njëkohësisht paaftësinë e  shtetit për të zbardhur çështjet, demostrohet me vrasjen e komisar Artan Cukut. Viktima ishte një thesar i vyer që kontribuoi në Policinë e Shtetit në vite me radhë. Me sa duket puna e  tij e palodhur në rreth dy dekada shpërblehet në mënyrën më të keqe të mundshme, me një ekzekutim makabër dhe të pamëshirshëm. Hetimet janë përqendruar në tri pista.

E para bën fjalë se vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës së tij si drejtues policie, i cili posedonte detyra të larta në Policinë e Shtetit. Veçojmë këtu postin e nëndrejtorit të Drejtorisë së Tiranës, e atë të Drejtorit të Vlorës. Integriteti i tij i lartë dhe përkushtimi i pareshtur në Drejtorinë e Tiranës, u shpërblye me një transferim në Vlorë, duke u lënë në duar të trafikantëve.

Si pistë të dytë veçojmë për shkak të konkurrencës, pasi komisari drejtonte një kompani private sigurimi. E megjithatë pista e tretë mendohet të jetë po aq e rëndësishme sa dy të parat. Hetimi i kësaj piste na kthen pas në kohë, në vitin 2005 kur një 25-vjeçar është vetëvrarë në zyrën e tij. Ndoshta mund të ketë ndodhur një hakmarrje e mundshme për këtë rast.

As shuma e vënë në dispozicion për informacione rreth ngjarjes, e as përkushtimi i ekspertëve më të mirë në fushën e krimit nuk do të mund të hedhin dritë mbi vrasjen. Si shumë  e shumë vrasje të tjera me prapavijë politike, fatkeqësisht edhe kjo do të mbulohet me pluhurin e harresës. Krimi po vret! Ky është një fakt i pakundërshtueshëm që i shtohet vorbullës së halleve tona të përditshme.

*Autori, student gazetarie