KUKES, 19 mars 2013-Moti i keq ka sjellë mungesën e energjisë elektrike prej disa orësh në të gjithë qarkun e Kukësit, pas shkëputjes se disa fidrave, si pasojë e erës së fortë, ndërkohë që “CEZ Shpërndarje” njofton se ka kryer shkëputjen e disa fidrave të tjera për të shmangur dëmtimin e tyre.
Pa energji elektrike janë me shume se 128 mijë banorë në rrethet Kukës, Has dhe Tropojë. Ndërkaq, era e fortë ka shkaktuar shumë probleme tek banorët e zonave të thella malore por edhe atyre të qytetit të Kukësit.
Mëngjesin e sotëm janë dëmtuar disa pemë mbi 30-vjeçare në parkun e madh të qytetit ndërkohë që dhjetëra banesa janë dëmtuar në pjesën e çative. Shumë depozita janë rrëzuar nga tarracat e pallateve duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve.
Mësohet se më shumë se 20 shtëpi banimi dhe shumë stalla bagëtish janë dëmtuar ne zonat e thella, çka ka detyruar banorët që të largohen prej tyre për shkak të rrezikut.





