Ka mjaftuar vetëm pak erë që një depozitë uji 1 tonëshe së bashku me pjesën metalike të shkëputet prej tarracës së një pallati në katin e gjashtë e të përfundojë në tokë. Së bashku me bazamentin prej hekuri të depozitës së ujit, në tokë përfunduan edhe antenat që përdoreshin për valët televizive nga banorët.

Pjesët metalike kanë dëmtuar rëndë një automjet, i cili ishte parkuar nga një banor i pallatit në momentin që ranë nga tarraca e katit të gjashtë në tokë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Jusuf Ferra” në lagjen numër 7 pasditen e sotme.

Fatmirësisht në momentin e rrëzimit të depozitës së ujit dhe bazamentit metalik nuk ka pasur njerëz në shesh pushim sepse katastrofa paralajmërohej e rëndë në rrethana të tilla.

Banorët e pallatit kanë dalë të alarmuar prej banesave pas zhurmës së rëndë të shkaktuar nga rënia prej lartësie e depozitës së ujit.

Banorët thanë se depozitat janë një kërcënim serioz pasi shumë prej tyre në vite nuk u kanë kryer asnjë shërbim. Banorët thanë se depozita i përket një banori që prej më shumë se 10 vjetesh është larguar në emigrim. Në këtë situatë askush nuk mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar apo në rastin kur mund të dëmtonte njerëz.

Depozitat e ujit janë përgjegjësi direkte e personit që i ka vendosur dhe ka pronësinë e tyre. Por ashtu si antenat televizive që kanë dalë jashtë funksioni me erën dixhitale në tarraca të braktisura janë edhe depozitat e ujit, pronarët e të cilëve janë larguar jashtë vendi.

Banorët janë të rrezikuar dhe vetëm kur shënohen aksidente madhore, kujtohen autoritetet për të marrë masa apo për t’i bërë apel popullatës të marrë masa.

Para se të ndodhin aksidentetet fatale, duhet si banorët dhe autoritetet të ndërhyjnë për të shmangur këto ngjarje.

K.H.