Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 21 tetor 2014– Profil qytetar: Aktorja Eralda Çaushi
Eraldë, ç’ është skena për ju?
Skena për mua është gjithçka. Shumë fjalë më vijnë ndërmend për ta përshkruar, por asnjëra prej tyre s’më duket e duhura. Më duket se e gjeta! Skena është dashuria. Po, po ! Skena është një dashuri që jetohet sa herë ngjitesh në të.
Rolin më mbresëlënës; e keni realizuar apo e prisni ende?
Të gjitha rolet i dua, por më shumë dua procesin e punës që kam bërë për të realizuar atë rol. Mund të veçoj disa prej tyre, por uroj që më i miri s’ka ardhur akoma; kam ende shumë e shumë rrugë përpara. Profesioni ynë s’ka fund, është si një histori dashurie, ku takimet s’mbarojnë asnjëherë. Dhe unë jam ajo vajza, që mezi pret takimin e radhës me dashurinë e saj .
Cila është fraza më e bukur që keni thënë në skenë?
Përsëri nuk mundem të veçoj një frazë timen si më të veçantën, sepse përderisa e kam thënë unë, ajo tashmë është bërë pjesë e imja. Fjalët që regjisori ka vendosur në gojën e personazhit tim më pëlqejnë të gjitha, por unë do të veçoja Shekspirin, autorin më të madh të të gjitha kohrave. Ai ka shkruar vargjet më të bukura për mua.
Ju ka ndodhur të harroni ndonjë batutë gjatë interpretimit ? Nëse po, si e keni kapërcyer situatën?
Deri tani s’ më ka ndodhur të kem harruar në skenë asnjë batutë dhe uroj që mos të më ndodhë. Zakonisht, në fund të provave, dmth deri ditën e premierës unë arrij që dhe tekstet e partnerëve t’i kem mësuar përmendësh, kështu që ezaurimin e tekstit tim s’e diskutoj. Ato jo vetëm që janë fjalët e mia, por dalin dhe si nevojë për t’u thënë në skenë, nuk interpretohen përmendësh, se dhe tekstin ne nuk e mësojmë përmendësh; prandaj provat për të nxjerrë një premierë teatri zgjasin deri në dy muaj ,duke punuar çdo ditë mbi të njëjtin tekst, me të njëjtët personazhe !
Publiku ju asocion me teatrin. Po nga kinemaja, jeni ndjerë ndonjëherë e tentuar ? Kur do të mund t’ju shohim në një produksion televiziv?
Në teatër ndihem shumë mirë. Me kalimin e viteve kam fituar më shumë siguri. Ndihem e mbrojtur, ndihem si në shtëpi. Kinemanë ende s’e kam prekur nga afër, nuk kam ndërtuar një marrëdhënie me të, por shpresoj që së shpejti të mund ta provoj. Hapat dua t’i hedh ngadalë, me kujdes që në fund të mos e lëndojmë njëra-tjetrën. Nuk mund të përcaktoj se kur do të bëhem pjesë e saj, por sido që të jetë, në kinema dhe produksione televizive, ndryshe nga teatri, lajmi fluturon më shpejt.
A mendoni se arti vlerësohet mjaftueshëm në shoqërinë tonë? Ç’do të donit të përmirësonit?
Duke marrë parasysh të gjitha profesionet e tjera në Shqipëri, mendoj se vlerësohet si gjithë të tjerët. Ne jemi të varfër.Thonë që teatri është luks dhe unë do doja që vërtet teatri ynë të jetë luks, në të gjitha aspektet,do doja …eh, sa shumë do të doja…!!!
Së fundmi, ç’këshillë do t’i jepnit një vajze të re që ëndërron të bëhet aktore ?
Ja ngrihesh një mëngjes dhe realizove ëndrrën tënde, sërish në mbrëmje do të ëndërrosh e kështu në vazhdimësi, netët pasojnë njëra-tjetrën. Mbi të gjtha, aktrimin duhet ta dashurosh, duhet të punosh shumë, duhet të rritesh çdo ditë, nuk duhet të lodhesh, nuk duhet të reshtësh së menduari për të. Që të bëhesh aktor duhet të ndërgjegjësohesh, se aktrimi s’është veç ëndërr.





