Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyrtarisht konfirmimin e rastit të parë me fruth në Shqipëri. Bëhet fjalë për një fëmijë të pavaksinuar, i cili është paraqitur për trajtim mjekësor më 22 dhjetor dhe është diagnostikuar me këtë sëmundje infektive. Bëhet me dije se fëmija kishte ardhur më herët nga Britania e Madhe, ndërsa rasti është ndjekur nga afër nga Instituti i Shëndetit Publik.
Autoritetet informojnë se rasti konsiderohet i izoluar dhe nuk ka shenja të përhapjes së infeksionit. Aktualisht, fëmija ndodhet nën kujdesin e mjekëve në shërbimin e pediatrisë infektive dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
ISHP ka kryer hetimin epidemiologjik përkatës dhe deri në këto momente nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara apo të konfirmuara.
Instituti i Shëndetit Publik vijon monitorimin e situatës, ndërsa u bën thirrje prindërve të ndjekin kalendarin e vaksinimit për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve infektive si fruthi.





