Stuhia e mbrëmshme në Shkodër, që ndërpreu ndeshjen Shqipëri-Maqedoni në minutën e 75-të, ka pasur edhe pasoja të tjera, ndër të cilat, tragjike.
Një tifoz i kombëtares kuqezi, i ardhur nga Kosova, ka humbur jetën në kryeqendrën e veriut. Fjala është për 65-vjeçarin Kadri Shkrela, i cili ka humbur jetën, pasi ra në kontakt me korentin e një shtylle elektrike.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në bulevardin “Bishanaku”, ose e njohur si “Rruga e Gjanë”, afër stadiumit “Loro Boriçi”.
Mësohet se tifozi nga Kosova ishte mbështetur në shtyllën e ndriçimit, por për shkak të mbushjes së saj me ujë, 65-vjeçari ka rënë në kontakt me korentin, i cili i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një lajm vërtet i hidhur ky për kombëtaren, veçanërisht për tifozët kuqezinj.





