Pesë deputetë suedezë kanë paraqitur një padi duke akuzuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në zonat e populluara nga kurdët në Turqi.

Akuzat vijnë nga deputetë të partive të majta dhe të Gjelbër në Suedi dhe kanë të bëjnë me krimet që janë kryer në juglindje të Turqisë, ku po lufton ushtria Turke dhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një organizatë e shpallur terroriste edhe nga Europa dhe SHBA-të.

Mijëra persona kanë humbur jetën dhe qindra shtëpi janë kthyer në të pabanueshme që prej përfundimit të armëpushimit të brishtë në vitin 2015.

Sipas ligjvënësve, për Erdoganin mund të shpallet urdhër-arrest në Suedi nëse prokurorët vendorë vendosin në nisin hetimet.

Njëri prej deputetëve denoncues, Carl Schlyter, tha se shpresonte që kolegët e tij në vendet e tjera të BE-së do të ndiqnin të njëjtën rrugë.

Schlyter, i cituar nga AFP, tha se shpresonte që kjo të ndikonte në politikën e Erdognait duke e penguar “të bredhë anekënd Europës dhe të influencojë ngjarjet në kontinent në mënyrën që ai dëshiron”.

Shumë ministra turq janë penguar së fundmi të organizojnë mitingje në Europë pas tensioneve mes BE-së dhe Ankarasë.

E përditshmja izraelite “Haaretz” thotë se kjo padi është e para në llojin e saj, kundër një kreu shteti në Suedi. Një ligj i miratuar në vitin 2014 lejon gjyqtarët të shqyrtojnë krimet kundër njerëzimit kudo në botë, pavarësisht të akuzuarit si autor.

Ligji specifikon se çdokush që kryen vrasje në mënyrë që të shkatërrojë plotësisht ose pjesërisht një grup etnik është fajtor për “gjenocid”.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka nisur kryengritjen e saj në provincën e Hakkarit në vitin 1984 dhe mbi 40 000 persona, shumica kurdë, kanë vdekur të luftime që prej asaj kohe.

Kurdët, të cilët besohet se janë rreth 15 milionë në Turqi, kërkojnë më shumë të drejta politike në vend.