Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin si organizatorë të trazirave në Iran. Akuza që veç regjimit të Teheranit, asnjë lider botëror i ka bërë drejtpërdrejtë.

“Nuk mund të pranojmë që disa vende – kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – të ndërhyjnë në punët e brendshme të Iranit dhe Pakistanit. Po kthejnë njerëzit kundër njëri-tjetrit në këto vende. E kemi parë këtë metodë të turpshme edhe ne vende të tjera si Iraku”.

Deklaratën, presidenti turk e bëri në një konferencë për shtyp nga aeroporti Ataturk i Stambollit, para nisjes për një vizitë zyrtare drejt Francës. Të mërkurën edhe presidenti francez Emanuel Makron kritikoi Donald Trumpin për deklaratat, që sipas tij nxisnin dhunën në Iran.

21 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u arrestuan gjatë protestave të ditëve të para të vitit në Iran, kundër regjimit të Ajatollahëve në atë që konsiderohet si sfida më e madhe kundër tyre që prej 2009-ës.