Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan shtroi iftar me një prej këngëtareve më të njohura transeksuale të Turqisë Bulent Ersoy, vetëm disa orë pasi policia shpërndau me forcë një tubim të homoseksualëve.

Presidenti konservator së bashku me bashkëshorten e tij e ndanë iftarin me një grup artistesh ku ndër të ftuarat speciale ishte këngëtarja e njohur transeksuale, ndër të parat në vend që i është nënshtruar operacionit për ndryshimin e gjinisë duke u kthyer nga burrë në grua.

Fotografitë e shpërndara nga zyra e presidencës tregonin çiftin presidencial duke ngrënë iftarin e të dielës me të ashtuquajturën Diva e muzikës turke Ersoy në pallatin presidencial të Stambollit. 64 vjeçarja Ersoy ndryshoi gjininë në vitet ’80, operacion i kryer në Londër, akt i cili në atë kohë shokoi mbarë Turqinë.