Pesë punonjës të Policisë së Shtetit kanë përfunduar me rezultate shumë të mira, studimet pranë Qendrës Arsimore për Drejtues të Nivelit të Parë, në Akademinë e Policisë, në Ankara, Turqi.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, në vitin 2019, u përzgjodhën për të ndjekur studimet pranë Qendrës Arsimore për Drejtues të Nivelit të Parë, në Akademinë e Policisë, në Ankara, Turqi, 5 punonjës të Policisë së Shtetit, të diplomuar më parë në Akademinë e Sigurisë, në Tiranë.
Në ceremoninë e diplomimit kanë qenë të pranishëm presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, Drejtori i Akademisë së Policisë, në Ankara, si dhe Oficeri Ndërlidhës i Policisë shqiptare në Turqi, Kryekomisar Ilir Zhurka.
Gjatë ceremonisë, presidenti Erdoğan i ka dorëzuar diplomën njërit prej studentëve shqiptarë, i cili ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera, si dhe ka vlerësuar përkushtimin e tij dhe të 4 punonjësve të tjerë të Policisë së Shtetit, që u diplomuan në Akademinë e Policisë, në Ankara, mes 680 studentëve në total.