Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paditur liderin kryesor të opozitës dhe kryetarin e Stambollit për deklarata që ai i ka cilësuar si shpifje, raportoi agjencia e lajmeve, Anadolu.
Këto deklarata, sipas padive, ishin bërë gjatë një tubimi protestues një ditë më parë.
Të dorëzuara më 1 nëntor, dy paditë e ndara janë ngritur ndaj Ozgur Ozel, kreut të Partisë Popullore Republikane (CHP), dhe kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Njëra padi akuzon Ozelin për “ofendim publik të presidentit” dhe për “kryerjen e krimit ndaj reputacionit dhe nderit të zyrës së presidentit”.
Tjetra padi pretendon se Imamoglu kishte bërë “akuza të pabaza, përfshirë shpifje, që shkelin të drejtat e Erdoganit” dhe se ai “ka vepruar kështu me qëllim që ta poshtërojë presidentin para publikut”.
Secila padi kërkon 30.000 dollarë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga të akuzuarit.
Këto padi kanë për bazë deklaratat e bëra nga këta dy politikanë gjatë një proteste të enjten në Stamboll, pasi të mërkurën policia kishte arrestuar kryetarin e qarkut Esenjurt të Stambollit, nën pretendime se kishte lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, parti e ndaluar në Turqi.