Në prag të zgjedhjeve të parakohshme që shpalli para disa ditësh, presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan, gjatë një interviste që është transmetuar nga të gjitha kanalet televizive të Turqisë, i është referuar midis të tjerash edhe krizës greko-turke, duke deklaruar se Ankaraja nuk kërkon të rrisë tensionet në Egje.
“Ne e shohim Greqinë si fqinj. Edhe nëse ka disa probleme, duam t’i kapërcejmë ato. Të ulemi në një tryezë dhe t’i lëmë pas. Sepse bëhet fjalë për det dhe ajër. Avionë dhe anije të kalojnë lirshëm. Perse të vëmë në dyshim dhe të njollosim paqen? Ne kemi nevojë për paqe në botë. Aq me tepër paqja jone me Greqinë nuk i ngjan asnjë tjetre”, ka thënë Erdogan.
Presidenti turk pa pohuar se shteti i tij ka bërë gabime në të kaluarën kur ka debatuar me minoritetin grek të Stambollit. Ai gjithashtu i është referuar vizitës së tij të fundit në Greqi dhe kryeministrit Alexis Tsipras, duke e përshkruar si një kryeministër të ri dhe dinamik, që dëshiron të ecë përpara, si dhe homologut të tij Pavlopoulos.
“Le t’i lëmë mënjanë polemikat e tipit -ju morët më shumë e ne më pak. Le të mos krijojmë probleme të tjera. Sepse më pas pasojat janë të rënda. Ne duam të marrë fund kjo gjë, të vëmë një pikë në këtë histori. Nuk duam të jemi kërcënim për Greqinë”, ka theksuar Erdogan.
I pyetur për dy ushtarakët grekë që mbahen të arrestuar pasi u kapën disa metra brenda kufirit turk në fillim të marsit, Erdogan ka lënë të nënkuptohet se ndoshta do të ketë një zhvillim pozitiv për ta nëse Athina i dorëzon tetë ushtarakët turq të arratisur pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit.
Intervista e Erdoganit është pritur me komente të ndryshme, disa pozitive e disa shumë skeptike, në mediat greke, pas një periudhe me një retorikë të ashpër dhe tensione të përditshme në Egje, ku pala greke humbi gjatë patrullimeve ajrore edhe një pilot që u rrezua bashkë me avionin e tij të tipit Mirage-2000-5 disa ditë më parë.