20 tetor 2014 – Ç’bëhet me marrëdhënien Rama – Veliaj? Përditë e më shumë përforcohet ideja e një çarjeje mes dyshes aq të afërt në fillim të mandatit qeverisës. Ajo që mbetet e paqartë është nëse ftohja është e vërtetë apo lojë. Me gjithë mend këta të dy nuk e shohin dot më me sy shoku shokun apo u duhet që të mendohet se ata tashmë janë në sherr. Duke qenë se ky i dyti nuk është i pamundur, por sidoqoftë shkon larg në teoritë konspirative, në mjediset serioze diskutohet gjatë mundësia e parë: ajo e një ndarjeje prej vëreti. Habi e madhe në fillim të shtatorit qe mungesa e kryeministrit në dasmën e ministrit të mirëqenies. Në asnjë nga ceremonitë Rama nuk u duk, gjë që nuk kis se si të kalonte pa u vënë re. Shkaku nuk u morr vesh por ato kohë nga mediat mësuam për një sherr edhe më të hershëm: atë me Adi Krastën. Sipas mediave dhe gjithashtu sipas Berishën në Kuvend, në një tryezë Rama ka sharë me fjalë të ndyra bashkëshorten e Erionit. Kaq di publiku. Më pas ministri i mirëqenies u shfaq si organizatori i “Peza n’fest” që të sjell ndërmend talljen “si fshati n’fest”. Qe një ceremoni e përvitshme, ku sërish Rama nuk erdhi. Me zorr të madh duket se Veliaj e ka tërhequr shefin e tij më pas në nja dy aktivitete të dikasterit të tij dhe kaq.
Këto ditë pas ndeshjes së Kombëtares sonë me Serbinë, kur janë prononcuar ministrat Bushati e Tahiri, ish “delfini” i Ramës, Veliaj duket se ka zgjedhur të mos përfshihet. Daljen në ekran e ka përdorur strikt për profilin e ministrisë që drejton, pa u përfshirë në asnjë lloj teme politike. Po ashtu, gjatë javës së shkuar kryeministri me një shpurrë relativisht të madhe shkoi për një vizitë në SHBA. Veliaj nuk ka rreshtur së rëni gjoksit si një beniamin i amerikanëve, njeri me njohje të mëdha andje, i shkolluar në SHBA etj etj. Pra, në kish vend vetëm për një në krah të Ramës në atë udhëtim, ai vend logjikisht i takon Erion Veliajt. Por kjo nuk ndodhi.
Deri sa të sqarohen zyrtarisht (nëse ndonjëherë do të sqarohen) këto marrëdhënie, varianti më i përfolur është ai i bezdisë së Edi Ramës nga rritja e figurës së Erion Veliajt. Ambicia e ish drejtuesit të Mjaftit për kryetar bashkie duket se është përzjerë edhe me një lajthitje rreth ëndrrave për t’u bërë dikur kreu i PS-së. Për këtë të fundit duket se i ka shkarë goja aty ku s’duhej. Ajo që shihet dhe nuk ka nevojë për asnjë konfirmim është fakti që muaji i mjaltit mes kryetarit të sotëm të PS dhe atij të djeshëm të Mjaft ka mbaruar me vakt. Çifti gjithnjë e më shumë po i lejon vetes skena divorci në publik.
/Civitas/





