Disa minuta pas thyerjes së palmës në bulevardin “Epidamn” në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë Bashkiake Durrës, të cilët po mundohen të kthejnë normalitetin në këtë zonë.

“Të gjithë efektivët e Policisë Bashkiake janë në terren dhe në krye të detyrës për të monitoruar situatën e krijuar për shkak të motit të keq. Deri më tani kemi vetëm dy raste thyerje pemësh dekorative, një palmë është thyer në bulevard, ndërsa një pemë në zonën e Shkozetit. Do të vijojmë përgjatë gjithë ditës në terren për të garantuar ndërhyrjen e shpejtë në çdo zonë të qytetit ku do të jetë e nevojshme ndërhyrja e Policisë Bashkiake”,– bën të ditur për “DurrësLajm”, drejtori Vasip Çopa.

Era e tërbuar dhe thyerja e palmës kanë shkaktuar dëme materiale tek disa nga bizneset e zonës, ndërkohë që edhe disa nga flamujt e vendosur në sheshin “Liria” dhe rrugët kryesore pranë qendrës për shkak të festave të nëntorit janë shkulur nga vendi.

Durrësi është përfshirë ditën e sotme nga një erë e fortë me shpejtësi deri në 13 m/s, që ka shkaktuar dallgëzim në det deri në 6 ballë.

Për shkak të motit të papërshtatshëm u anuluan lundrimet e trageteve mbrëmjen e sotme drejt Barit dhe anasjelltas, ndërkohë që trageti i Ankonës pritet të lundrojë sipas orarit të programuar.

M.B.