Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka vendosur që leximi fizik i matësve të energjisë për periudhën janar-qershor 2021 të bëhet çdo dy muaj.

Kjo vjen pas kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në kuadër të situatës së pandemisë së COVID-19 për të minimizuar kontaktet e punonjësve.

Një praktikë e tillë u zbatua edhe përgjatë vitit 2020 ku leximi u bë çdo tre muaj ndërkohë që faturimi mujor u krye në bazë të referencës së konsumit me të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe për 2021 faturimi mujor do të bëhet duke ju referuar konsumit të muajit respektiv në vitin 2020.

ERE vlerëson se nuk ka arsye për të zbatuar këtë praktikë të leximit çdo dy muaj të matësit deri në fund të këtij viti dhe kjo është arsyeja pse qershori është lënë si muaji i fundit i zbatimit.

Në vendimin e ERE thuhet se të gjithë klientët aktivë të kategorisë familjare/jofamiljare, do të faturohen me vlerë referuese zëvendësuese me të njëjtin konsum të muajit përkatës të vitit 2020, dhe në muajin pasardhës, faturimi do të kryhet mbi bazën e leximit të matësit dhe korrigjimin e faturës së muajit paraardhës, nëse konstatohet rrethana.

“Nga kjo dispozitë përjashtohen kategoritë e klientëve si më poshtë: a) Që në muajin e faturimit me vlerë referuese, kanë faturim 0 kwh në muajin respektiv të vitit paraardhës. b) Kanë ankesë për mbifaturim të energjisë elektrike për muajt për të cilët do të përdoret referenca. c) ) Kanë bërë ose do të bëjnë kërkesë për pezullim/mbyllje të kontratave të energjisë elektrike në proces, pa hequr detyrimin e OSSH sh.a. për vazhdimin e procedurës së pezullimit/mbylljes së kontratave sipas legjislacionit në fuqi” saktëson vendimi.

Po kështu për kontratat e furnizimit me energji elektrike që nuk kanë faturime të muajit referues të vitit të mëparshëm të konsumit me matje të energjisë elektrike, vendimi përcakton që faturimi me vlera referuese të bëhet bazuar në mesataren e konsumit me matje të energjisë elektrike, të regjistruar gjatë vitit të fundit në sistemin e faturimit. Për të gjithë klientët me matje online procesi i leximit dhe faturimit të vazhdojë i pandryshueshëm.

Leximi i matësave të energjisë elektrike për të gjithë kategoritë e klientëve aktiv (familjarë dhe jofamiljarë) do të bëhet në muajin pasardhës të muajit të faturimit me vlerë referuese, dhe nëse konstatohet rrethana do të bëhet korrigjimi në muajin pasardhës duke marrë në konsideratë vlerat e leximit të matësit.

Kur klienti dokumenton mos-konsumim të energjisë elektrike gjatë periudhës së faturimit, objekt i këtij vendimi, OSSH sh.a është e detyruar të bëjë leximin dhe verifikimin e matësit për këta klientë.

FSHU sh.a do të faturojë këta klientë në bazë të leximeve me matje. Diferencat që do të rezultojnë ndërmjet faturimit me vlerë referuese zëvendësuese sipas këtij vendimi dhe vlerës reale të konsumit të lexuar në muajin e dytë do të sistemohen brenda muajit pasardhës. /Monitor