TIRANE – Enti Rregullator i Energjisë pritet të vendosë të hënën për licencat e kompanisë “CEZ Shpërndarje”. ERE publikoi sot njoftimin zyrtar për mbledhjen që do të zhvillohet nesër në orën 10:00, ku bëhet e ditur se do të merret vendimi për heqjen e licencave të CEZ-it, për shpërndarjen e energjisë dhe furnizimin me pakicë.
Të hënën do të caktohet edhe administratori i ri shtetëror. Në mbledhjen e bordit, ditën e premte, u paraqitën 6 kandidaturat, ish-kreu i OSSH, aktualisht drejtori i Ujësjellësit, Sait Dollapi, Artan Topi, Genc Gjorgjani, Rezart Isufi, Agron Seseri dhe Onorina Jata.
Personat e interesuar, të cilët kanë aplikuar për këtë post, janë dëgjuar prej bordit të ERE-s, i cili do të përzgjedhë midis tyre. Pas dëgjesës u skualifikua Onorina Jata, pasi siç bëri të ditur drejtori juridik i ERE-s, Eduart Elezi, ajo është aktualisht punonjëse në CEZ.
Në garë vijojnë të mbetën 5 emrat, Artan Topi, Sahit Dollapi, Genc Gjorgjani, Rezart Isufi dhe Agron Seseri.
ERE ka miratuar rregulloren për mënyrën e përzgjedhjes së administratorit dhe mënyrën se si do të funksionojë sistemi i shpërndarjes së energjisë, nëse CEZ-it i hiqet licenca. Sipas rregullores brenda 10 ditëve administratori merr në dorëzim kompaninë dhe më pas duhet të marrë masa për përmirësimin e situatës.