Aeroplani me të cilin udhëtonte Manchester City detyrua të bëte një devijim të papritur dhe të ulej në aeroportin e Liverpoolit të mërkurën pasi erërat e forta e bënë të pamundur kthimin direkt në Manchester.

Citizens po ktheheshin në Angli pas fitores 5-0 në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave ndaj Sportingut të Lisbonës në Ligën e Kampionëve.

Pilotët e aeroplanit tentuan disa herë të uleshin në aeroportin e Mannchesterit, duke u rrotulluar mbi tri herë mbi qytet, por në fund u detyruar të kërkonin ulje emergjente në Liverpool për shkak të erërave të forta, që e bënë të pamundur zbarkimin e sigurt.

Situata ka qenë mjaft serioze dhe kjo kuptohet nga videot që kanë postuar mediet angleze.

Klubi i Manchester City-t reagoi në Twitter, të mërkurën, për të konfirmuar se skuadra e ekipit të parë zbarkoi në mënyrë të sigurt.

“Mund të konfirmojmë se aeroplani që transportonte ekipin e parë në shtëpi nga Lisbona, është ulur i sigurt në Liverpool, pasi erërat e forta e bënë të pamundur uljen në Manchester”.