Ergys Kaçe është një nga talentet shqiptare të futbollit. Pjesë e kombëtares kuqezi, ai natyrshëm që lakohet në merkato, sa herë hapet afati kalimtar. Kohët e fundit ka pasur probleme të pashpjegueshme mosaktivizimi te PAOK-u i Selanikut, ku bën pjesë, çka i ka shtuar zërat për një largim të mundshëm të tij. Në fakt, apeli i trajnerit De Biazi për të gjithë kuqezinjtë, se duhet të luajnë rregullisht në klubet e tyre, që të jenë pjesë e fazës finale të “Euro 2016”, ka detyruar disa lojtarë të lëvizin këtë janar.

“FcInterNews” shkruan mbi Ergys Kaçen, e pyet atë mbi shanset e kalimit tek Interi Sadiku, Djimsiti, Ajeti, dhe Basha janë të parët që kanë sistemuar vetveten, ndërkohë që Gashi dhe Kaçe mbeten dy kuqezinjtë në merkato. Dje u fol për një interesim të Interit mbi autorin e atij eurogoli në miqësoren me Francën, më 13 qershor të vitit të kaluar në “Elbasan Arena”, ndërkohë që sot, “fcinternews.it” ka zhvilluar një bisedë ekskluzive me mesfushorin shqiptar. “Interi, një klub i madh, por tani për tani mendoj për PAOK-un. Në futboll, kurrë mos thuaj kurrë,” – është ekstrakti i deklaratës së Kaçes.

Ashtu siç është shkruar në mëngjes, Interi ka vënë nën vëzhgim Ergys Kaçen, mesfushorin e datëlindjes 1993, pjesë e PAOK-ut. Nuk ka marrëveshje ende, por për verën e ardhshme nuk përjashtohet mundësia që kompania nga “Corso Vittorio Emanuele” të bëjë një përpjekje për ta sjellë në Milano futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë. Një profil që, për karakteristikat (mesfushor qendror, me teknikë të shkëlqyer), mund të jetë mjaft i dobishëm për Roberto Mancini.

22-vjeçari i lindur në Korçë, i intervistuar ekskluzivisht nga “FcInterNews”, nuk e përjashton plotësisht mundësinë e zbarkimit në “Appiano Gentile”: “Nuk e di nëse Interi po më ndjek mua apo jo, por sigurisht që po flasim për një klub të madh. Kjo nuk ka dyshim. Megjithatë, tani për tani jam i përqendruar te PAOK-u dhe po mendoj si të bëj më të mirën me këtë fanellë. A ekziston mundësia e mbërritjes sime në Milano? Kurrë mos thuaj kurrë! Në futboll, kurrë nuk i dihet,” – citon “fcinternews.it”.