Erion Braçe është shfaqur i përlotur teksa ka folur për hendekun e madh që po krijohet në Shqipëri mes njerëzve të thjeshtë, të cilët sipas tij llogarisin çdo qindarkë dhe që nuk e kanë luksin të shpërdorojnë ushqimin sipër tavolinës.

Braçe, i cili njihet për qëndrimin e tij kundër skemës së TVSH për bujqësinë, të prezantuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, është shfaqur i prekur kur ka folur për babain që kursen çdo qindarkë që të shkollojë fëmijën.

“I marrin bujqit si njerëz që merren me punë të rëndomta, që s`kanë ide.

O kanë ide ata, o të bëjnë llogari bujqit, veçanërisht në Myzeqe, veçanërisht në Berat, në Fier, në Lushnje dhe në Divjakë, o nuk të bëjnë llogari kurrkund. 

Gjejeni ekonomistin (ua thashë në Komisionin e Ekonomisë), kush është më i miri nga ju? Edhe nga ata që i kishte sjellë ministrja e Financave atje, kush është më i miri nga ju le të vijë dhe të ulet në tavolinë nesër në një klub fshati atje.

S`ka asnjë problem, nuk ka as Covid atje, mund të ulemi në një klub fshati dhe ta bëjmë këtë llogarinë e TVSH-së. Po askush nuk e merr përsipër të vijë dhe të ulet. 

Ata e bëjnë llogarinë shumë mirë. Pse? 

Sepse ata llogarisin çdo qindarkë. Nuk janë si ne që e shpërdorojmë ushqimin sipër tavolinës, që e shpërdorojmë paranë edhe kur e kemi me shumicë. 

Ata numërojnë edhe qindarkën më të fundit, sepse secili prej tyre mendon që ta çojë vajzën në shkollë. (përlotet). Secili prej tyre mendon që ta mbajë fëmijën e vet aty.

Po çfarë t`i them unë një djali të ri që ka parë prindin e vet sesi vuan, çfarë t`i them? 

Që nuk e do jetën e prindit të vet, nuk e do punën e prindit të vet, nuk e do. E çmon, e respekton sepse ai i ka dhënë mundësinë të shkojë në shkollë, të vishet, të ushqehet, të dalë, të argëtohet, me ato mundësi që të ofron edhe provinca, po çfarë t`i them? 

Nuk do të vuajë siç ka vuajtur gjyshi, siç ka vuajtur babai, nëna?”, tha Braçe në një intevistë me Mira Kazhanin.