Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i ftuar këtë të hënë “Euronews Tonight” me Mirela Milorin ka folur lidhur me situatën e drejtimit të Tiranës. Braçe u shpreh se edhe pse është tentuar, Tirana nuk po qeveriset.
Sipas tij, deputetet dhe kryeministri Edi Rama kanë krijuar një grup për të udhëhequr Tiranën me detyra të përcaktuara por sipas tij gjërat nuk po funksionojnë siç duhet teksa vuri theksin se këto pasoja i vuajnë socialistët.
“Për fat të keq nuk po shkojnë shumë gjëra. Për fat të keq, Tirana është një qytet që nuk po qeveriset dhe po kthehet në të paqeverisshme. Edhe pse jemi munduar shumë, qeveria është munduar shumë, kryeministri është munduar shumë, është krijuar një grup me ne deputetët e Tiranës që e udhëheq në pozita kuazi, kryetari bashkie, udhëheqësja politike e Tiranës e tjerë.
Gjërat prapë nuk po funksionojnë as në Tiranë, nuk po funksionojnë as në bashki në Tiranë dhe normalisht ata që e pësojnë është janë socialistët. Fjala bie, tani është duke bërë një mbledhje në njësinë pesë.
Deputeti s’ishte njoftuar fare. Atje është udhëheqësja politike e Partisë Socialiste të Tiranës bashkë me një deputet tjetër që është deleguar atje si drejtues politik. Ndërkohë që deputeti që është përballë me ata njerëz, ka punuar me ata njerëz, ka bërë fushatë me ata njerëz, ka marrë votën e atyre njerëzve e s’është njoftuar fare për mbledhje”, tha ai.





