Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vendosur që të kalojë për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh, çështjen ndaj Erion Veliajt, i cili ka kërkuar lirimin nga paraburgimi, duke shfuqizuar masën e “arrestit me burg”.

Kujtojmë që në nëntor të vitit të kaluar ekipi i tij i mbrojtësve depozitoi një ankim në Gjykatë Kushtetuese, ku ai synon lirimin.

Nga Kushtetuesja, Veliaj kërkon shfuqizim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për caktimin e masës “arrest në burg” ndaj tij.

Sipas kryebashkiakut, vendimet janë dhënë në shkelje të Kushtetutës, pasi përgjatë procesve të caktimit të masës i është shkelur e drejta e procesit të rregullt ligjor e proporcionalitetit të masës së sigurimit dhe ajo e prezumimit të pafajësisë.

Erion Veliaj, i pandehur i SPAK për 5 vepra penale, mes të cilave edhe “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave” qëndron në qeli prej shkurtit të vitit të kaluar.